Ukraina synon që prototipi i sistemit të ri evropian të mbrojtjes nga raketat, i koduar “Freyja”, të jetë gati deri në gjysmën e parë të vitit 2027. Projekti synon krijimin e një sistemi që do të ndihmojë Kievin të përballet me raketat balistike ruse.
Sipas Reuters, zëvendëssekretari i Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare të Ukrainës, Davyd Aloian, tha se objektivi është që brenda këtij afati të prezantohet një prototip funksional, i cili mund të tregojë rezultatet e para praktike.
Sipas tij, një komitet ndërkombëtar do të mblidhet së shpejti për të vlerësuar kostot e kërkimit dhe zhvillimit të projektit. Në këtë nismë janë përfshirë disa vende evropiane dhe kompani të industrisë së mbrojtjes.
Ukraina aktualisht mbështetet kryesisht te sistemet amerikane Patriot, të cilat janë të vetmet në arsenalin e saj që mund të godasin me besueshmëri raketat balistike ruse. Megjithatë, furnizimi me këto sisteme është kufizuar për shkak të mungesës së stokut dhe kohës së gjatë të prodhimit.
Kievi pritet të kontribuojë në projekt me teknologji të veta, përfshirë një raketë lëshuese dhe një raketë interceptuese, ndërsa aleatët evropianë do të ofrojnë ekspertizë në radarë, sensorë dhe sisteme drejtimi.
Në projekt janë përfshirë kompani të njohura të industrisë së mbrojtjes, mes tyre Eurosam, Leonardo, Thales dhe Saab.
© Panorama.al












