Novara fluturon në Serinë B dhe një nga protagonistët e këtij sezoni të shkëlqyer është edhe shqiptari Samir Ujkani. Ka zhvilluar 23 ndeshje dhe ka bërë paraqitje të shkëlqyera me klubin piemontez. Në një intervistë për “Italsportpres”, Ujkani ka folur për të ardhmen e tij dhe u ka bërë një publicitet shokëve të tij në Kombëtaren Shqiptare. Unë ndihem mirë te Novara, sepse ky klub më ka dhënë shumë mundësi. Megjithatë, do të më pëlqente edhe të kthehesha te Palermo, sepse është një klub i madh, me një organizim të shkëlqyer. Të luash me fanellën e Palermos është një arritje e madhe, sepse kjo skuadër unë mendoj se renditet menjëherë pas katër ekipeve të mëdha italiane. Megjithatë, për të qenë i ndershëm, nëse Novara ngjitet në Serinë A, do të doja që të rrija këtu edhe për ndonjë sezon tjetër, me qëllim që të kem një përmirësim gradual dhe të mos kem shumë presion”, ka thënë fillimisht Ujkani. Më tej, ai ka folur edhe për kolegët e tij në Kombëtare, kjo nisur edhe nga thashethemet e shumta që shohin Canën drejt Serisë A. “Lorik Cana është një lojtar i shkëlqyer. Ka eksperiencë dhe mendoj se atë mund ta marrë vetëm ndonjë skuadër e madhe. Por po ju them se edhe Debatik Curri është një mbrojtës i fortë dhe ka karakteristika të shkëlqyera për të luajtur edhe në role të tjera. Ai është 28 vjeç dhe ka parametra të shkëlqyera. Mendoj se në Serinë A mund të luajë pa problem edhe mbrojtësi Kristi Vangjeli, që përshtatet mjaft mirë në të dy krahët e repartit difensiv”, ka thënë ai.











