Uji në Tokio, i papërdorshëm për fëmijët

Mar 24, 2011 | 10:13

Uji i rubinetit në Tokio (Japoni) është shpallur absolutisht i papërdorshëm për fëmijët e vegjël, pasi matjet e fundit treguan një nivel të lartë të jodit radioaktiv në ujin e kryeqytetit japonez. Ndërkohë, edhe produktet ushqimore janë në rrezik përdorimi, sidomos ato të prodhuara në zonat afër centralit të Fukushimës. Kryeministri japonez, Naoto Kan, ka urdhëruar ndërprerjen e shpërndarjes së qumështit, spinaqit dhe disa produkteve të tjera. Shumë vende, pas alarmit të vënë në Japoni mbi produktet ushqimore të prekura nga radioaktiviteti, kanë ndërprerë importimin e qumështit, frutave dhe perimeve nga Japonia. Ndërkohë, në pikën më të nxehtë të katastrofës, në centralin Fukushima, situata mbetet problematike. Në reaktorin e tretë, i cili mbetet më problematiku për momentin, gjatë ditës së djeshme ka dalë tym i zi. Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore është shprehur e shqetësuar për informacionet e pasakta nga autoritetet japoneze.

© Panorama.al

Te lidhura