Ujësjellësi, Dollapi: Do të kërkojmë rritjen e çmimit

Nov 17, 2011 | 11:58

Çmimi i ujit do të rritet pasi kostoja e prodhimit është më e lartë se ajo e çmimit të shitjes në qytete.

Nëse tani paguani 33 lekë për një metër kub ujë të pijshëm, Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve paralajmëron çmim më të lartë për konsumatorët gjatë vitit që vjen. Deklaratat i bëri dje drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve, Sait Dollapi. “Ne do të aplikojmë për rritje çmimi pasi kostoja e prodhimit është më e lartë se kostoja e çmimit të shitjes së qyteteve. Ky vendim do të merret pasi kostoja e shitjes është më e ulët se ajo e prodhimit, tha Dollapi. Këto deklarata, drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës i bëri gjatë inaugurimit të depos më të re të ujit në kryeqytet, e cila gjendet në Dajt dhe ka një kapacitet prej 10 mijë metrash kub ujë. “Kjo depo do t’i shërbejë zonës së uzinës ‘Traktori’, Kodrës së Priftit Shkozë, Qesarakës”, tha Dollapi. Ai ka bërë thirrje edhe për kursim të ujit nga qytetarët. Depoja ka kapacitet mbajtës prej 10 000 metrash kub ujë në ditë dhe kapacitet përpunues deri në 30 000 mijë metra kub në ditë. Sipas Dollapit, kjo depo e re do të përmirësojë ndjeshëm furnizimin me ujë të pijshëm të zonës. Kreu i Ujësjellësit tha se ndërtimi i depos së re i përket planit të investimeve të vitit 2010 dhe në total kjo shifër është 15 milionë dollarë. Dollapi tha se brenda këtij viti do të përfundojnë dhe investime të tjera në rrjetin e ujësjellësit, të cilat do të sigurojnë sasi dhe cilësi më të mirë të ujit të pijshëm për qytetarët. Ujësjellësi i Tiranës është në negociata me Ministrinë e Ekonomisë për të blerë hidrocentralin e Lana Bregasit, i cili pak kohë më parë, së bashku me disa HEC-e të tjera, u ndanë si shoqëri anonime me menaxhim më vete nga KESH.

 

© Panorama.al

Te lidhura