U kap me pistoletë në Tiranë, gjykata liron Alban Rexhën

Mar 7, 2011 | 11:17

Rreth 55 orë pas arrestimit të tyre, Gjykata e Tiranës vendosi për ta masa më të lehta sigurie se ajo e “arrestit me burg”. Ditën e djeshme, togat e zeza të Gjykatës së Tiranës caktuan masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Enea Gegën dhe “detyrim paraqitje” për Alban Rexhën e Ernest Qorbjan. Rexha, Gega e Qorbja u arrestuan pak ditë më parë, pasi policia gjeti një pistoletë në automjetin taksi me të cilin ata po udhëtonin në një nga rrugët e lagjes “Komuna e Parisit”, në Tiranë. Pas arrestimit, asnjëri prej tre personave nuk pranoi pronësinë e pistoletës.
SEANCA
Në orët e paradites së djeshme, njëri pas tjetrit, tre të arrestuarit janë paraqitur para gjyqtares së gatshme Regleta Panajoti. Burime pranë gjykatës bënë të ditur se nga ana e avokatëve mbrojtës është pretenduar se pistoleta nuk ishte e të pandehurve dhe se ata nuk kishin lidhje me të. Po sipas burimeve, edhe përfaqësuesi i akuzës nuk ka pasur prova të mjaftueshme për të kërkuar masa ekstreme sigurie. Vetë të pandehurit nuk kanë shfaqur pretendime në proces. Ata kanë folur vetëm në momentin kur kanë konfirmuar gjeneralitetet para gjykatës. Në vijim, ata kanë qenë dakord me çka kanë thënë avokatët mbrojtës. Pasi është njohur me pretendimet e palëve, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” për të dyshuarit Alban Rexha dhe Ernest Qordja. Ndërsa për të dyshuarin Enea Gega, gjykata vendosi lënien e tij në masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Në seancë është bërë e ditur se në dosje ende nuk ishte i pranishëm akti i ekzaminimit balistik i armës si edhe ai i gjurmëve të gishtërinjve në të, çka do të provonte nëse arma është përdorur nga të ndaluarit.
ARRESTIMI
Disa krisma arme tërhoqën vëmendjen e policisë së Tiranës në rrugën “Medar Shtylla”, pranë “Komunës së Parisit”, në orët e para të mëngjesit të së premtes. Më pas, forcat e Komisariatit Nr.2 ndaluan një automjet taksi, në të cilin udhëtonin Alban Rexha, Enea Gega dhe Ernest Qordja. Të tre personat sapo kishin dalë nga një lokal nate i kësaj zonë ku kishin festuar ditëlindjen e ish-kafazierit Alban Rexha. Pasi i kanë zbritur nga automjeti dhe kontrolluar fizikisht, punonjësit e policisë kanë konstatuar praninë e një arme pistoletë në të. Burime policore pohuan se në brendësi të automjetit, poshtë sediljes së pasme, ku ishte ulur më parë Enea Gega, u gjet një pistoletë kalibër 9 milimetërshe. Të tre pasagjerët dhe shoferi i taksisë u shoqëruan për në komisariat. Pak orë më pas, pas dhënies së deklarimeve të para, shoferi i taksisë u la i lirë, pasi rezultoi se ai nuk kishte lidhje me armën.

 

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura