“U kalua vija e kuqe!”- Aktivistja Vatnikaj: Policia të mos zbatojë urdhrat e Ulsi Manjës dhe Taulant Ballës! Arrestoni civilin që i drejtoi thikën Gent Prognit

Jul 27, 2026 | 21:17

Aktivistja Sidorela Vatnikaj, ka reaguar pas përplasjeve të ndodhura gjatë protestës para Parlamentit, duke denoncuar dhunën policore ndaj protestuesve dhe duke kërkuar arrestimin e personit që tentoi të sulmonte me thikë aktivistin Gent Progni.

Vatnikaj deklaroi se protesta qytetare ishte paqësore, por sipas saj u përball me dhunë policore joproporcionale. “Është e patolerueshme që një protestë paqësore shteti ta shohë si arsye për të nisur dhunën. Sot u kalua vija e kuqe”, tha ajo.

Aktivistja u ndal te incidenti i denoncuar me Gent Prognin, duke kërkuar reagim të menjëhershëm nga institucionet dhe arrestimin e policit civil që aktivisti thotë se e ka kërcënuar dhe ka tentuar ta godasë me thikë.

Ajo iu drejtua edhe Policisë së Shtetit, duke kërkuar që efektivët të mos veprojnë sipas urdhrave politikë të Taulant Ballës dhe Ulsi Manjës.

“Sot, ndërkohë që u mblodhëm para Parlamentit që nuk na përfaqëson më, jemi përballur me një dhunë policore joproporcionale. Jemi përballur me dhunë dhe represion policor. Është e patolerueshme që protestën tonë paqësore shteti e sheh si mundësi për të nisur dhunën. Janë shkelur protokollet, sot u kalua vija e kuqe.

Njërit prej nesh një civil i ka tentuar thikën. Ata mendojnë se na frikësojnë, sepse mendojnë se jemi vetëm trupa, por ne kemi me vete dëshpërimin e dhjetëra brezave që ju i keni ropët. Ne jemi këtu sepse besojmë te shteti i së drejtës.

Ndaj bëjmë thirrje për arrestimin e menjëhershëm të atij personi që i drejtoi thikën një protestuesi paqësor. Policia të mos ndjekë urdhrat politikë të Taulant Ballës dhe Ulsi Manjës. Mundësoni që ky revolucion të jetë paqësor. Nëse preket një nga ne, është detyra juaj që ky revolucion qytetar të mbetet vetëm paqësor”, tha Vatnikaj.

© Panorama.al

Te lidhura