Tuneli Tiranë-Elbasan, s’ka ankesa për tenderin, fiton grekja “AKTOR”

Mar 18, 2011 | 9:37

Tunelin Tiranë-Elbasan do ta ndërtojnë grekët e kompanisë “AKTOR”. Oferta ekonomike e mirë prej 83 milionë dollarësh dhe argumentimi i mirë që i ka bërë kompania kanë qenë asete të mjaftueshme për t’i dhënë miratimin kompanisë greke. Dje ka përfunduar edhe afati zyrtar i ankimimeve për dy kompanitë e skualifikuara në fazën e tretë, që ishin “Bechtel-Enka” dhe “Mochlos”. Të dyja këto kompani nuk kanë paraqitur asnjë ankesë dhe ashtu sikurse është edhe rregulli për tenderimin, oferta më e mirë (në këtë rast ajo e AKTOR), merr edhe më shumë pikë dhe automatikisht bëhet fituese. Kjo përzgjedhje pritet që të zyrtarizohet të hënën, me botimin në buletinin e APP-së, ku bëhen edhe njoftimet përkatëse për tenderët. Në këtë fazë të fundit në garë kishin mbetur gjithsej pesë kompani, të gjitha kompani të vendeve fqinje apo të rajonit. Kompanitë që vijuan garën deri në fund ishin kompanitë greke “AKTOR” dhe “AEG AK”, kompania kroate “Konstruktor”, ajo italiane “CMC Ravena” dhe sllovenët e “Tubau”. Burime nga ministria bëjnë me dije se ofertat ekonomike mes operatorëve kanë qenë shumë të përafërta me njëra-tjetrën, duke u limituar te 80-100 milionë dollarë, ndërkohë që diferenca më e ngushtë ka qenë mes dy kompanive greke, “AKTOR”, e cila ofroi 83 milionë për të ndërtuar tunelin dhe “AEG AK”, që ofroi rreth 4 milionë dollarë më shumë, pra me një vlerë 87 milionë dollarë. Ndërkaq, një ofertë mjaft të mirë ka bërë edhe sllovenia “Tubau”. Në fund, nga gjithë këto oferta duket se tunelin do ta ndërtojnë grekët e AKTOR. Vlera maksimale e fondit limit të llogaritur nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve për tunelin Tiranë-Elbasan ishte 150 milionë dollarë. Pas shpalljes së fituesit në buletinin e APP-së pritet që punimet për tunelin të fillojnë në muajin prill dhe të përfundojnë pas 18 muajsh, ashtu sikurse e përcakton edhe kontrata.

© Panorama.al

Te lidhura