“Trupi dhe Shëndeti”, 65 vite në ekran

Apr 13, 2026 | 10:57

ilir topiDR. ILIR TOPI

Sot, 10 prill 2026, programi më i vjetër i televizioneve shqiptare, “Trupi dhe Shëndeti”, shënoi 65 vite transmetim të pandërprerë. Një arritje e rrallë, që e rendit këtë emision jo vetëm si më jetëgjatin në Shqipëri, por edhe ndër më jetëgjatët në botë, veçanërisht në fushën e programeve me fokus mjekësinë, ku mban vendin e parë midis emisioneve ndërkombëtare simotra. I lindur në një kohë kur informacioni mjekësor ishte i kufizuar dhe i vështirë për t’u aksesuar, emisioni u kthye shpejt në një burim të besueshëm për publikun. Ai krijoi një urë komunikimi mes mjekëve dhe qytetarëve, duke sjellë njohuri të dobishme në një gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme.

Me kalimin e viteve, emisioni ka kaluar kufijtë e një formati televiziv, duke u shndërruar në një institucion të mirëfilltë të edukimit shëndetësor publik. Përmes transmetimit në RTSH, ai ka arritur në çdo familje shqiptare, pa dallime sociale apo gjeografike, duke trajtuar një gamë të gjerë çështjesh shëndetësore me seriozitet dhe përgjegjësi. Një nga elementët më të veçantë të këtij rrugëtimi është roli i autorit dhe prezantuesit historik, dr. Flamur Topi, i cili ka drejtuar emisionin çdo javë, pa ndërprerje, për më shumë se gjashtë dekada, në të njëjtin kanal televiziv, një rekord i rrallë në median ndërkombëtare.

Falë përkushtimit të tij, emisioni nuk u zhduk si shumë të tjerë të lindur në të njëjtën kohë. Madje, në periudhën e tranzicionit, kur u përhap mendësia se çdo gjë e vjetër duhej zëvendësuar me diçka të re, “Trupi dhe Shëndeti” u bë shpesh objekt i kësaj logjike. Por dr. Flamur Topi, me këmbëngulje dhe përkushtim e mbajti gjallë emisionin, duke e mbrojtur dhe zhvilluar atë në vazhdimësi. Edhe pse kanë ekzistuar oferta tërheqëse financiare nga televizione private, dr.Flamur Topi zgjodhi ta mbaje aty, në RTSH, si platforma më e përshtatshme për të realizuar misionin “shëndet për të gjithë”. Përmes rrjetit të gjerë të transmetimit, ky mesazh ka arritur edhe në zonat më të thella të vendit, shpesh aty ku mungojnë shërbimet shëndetësore dhe ku nevoja për informacion është edhe më e madhe. Megjithatë, ky nuk është thjeshtë një sukses individual. Mijëra mjekë ndër vite (shumë prej tyre sot nuk jetojnë më) dhjetëra regjisorë, qindra teknikë, kameramanë, inxhinierë, montazhierë, elektricistë dhe shumë profesionistë të tjerë kanë kontribuar në realizimin e këtij programi.

Të gjithë ata meritojnë një falënderim të veçantë për kontributin e tyre të çmuar. Një vend të veçantë në këtë histori zë publiku. Për dekada me radhë, shikuesit kanë ndjekur dhe mbështetur “Trupi dhe Shëndeti”, duke e kthyer atë në një pjesë të pandarë të jetës së përditshme. Kjo mbështetje reflektohet edhe në të dhëna konkrete: në një anketim të kryer disa vite më parë nga Fakulteti i Gazetarisë, emisioni rezultoi ndër më të ndjekurit në vend. Në një kohë kur informacioni shpesh qarkullon pa filtra dhe pa garanci shkencore, nevoja për burime të besueshme mbetet thelbësore.

“Trupi dhe Shëndeti” vazhdon të mbajë këtë rol, duke e parë të ardhmen si një vazhdimësi të misionit të tij. Televizioni nuk duhet të konsiderohet thjesht si një mjet argëtimi, e aq më pak si një hapësirë për hutim, çorientim apo promovim antivlerash. Përkundrazi, ai ka një rol të rëndësishëm në formimin dhe edukimin e publikut. Në këtë kuptim, emisione si “Trupi dhe Shëndeti” duhen ruajtur, mbështetur dhe promovuar. Janë të domosdoshme për ekranet tona dhe për shoqërinë në tërësi, jo vetëm për edukimin shëndetësor, por edhe për forcimin e edukatës qytetare. Një histori 65-vjeçare që nuk mbyllet, por vazhdon me shpresën për t’u bërë 100 vjeç…

* Autori dhe drejtuesi aktual i “Trupi dhe Shëndeti”

/Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura