Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se Uashingtoni do të marrë kontrollin e Ngushticës së Hormuzit dhe se këtë herë misioni nuk do të kryhet pa kompensim financiar nga aleatët.
Në një intervistë telefonike për FOX News të hënën, Trump tha se SHBA-ja nuk do të lejojë më Iranin të ketë ndikim në këtë rrugë strategjike detare.
“Ne po marrim kontrollin e Ngushticës. Ata nuk kanë më asgjë. Ne do ta mbajmë kontrollin e saj. Ndoshta do ta menaxhojmë. Do të jemi rojet e Ngushticës dhe këtë herë do të paguhemi. E kemi mbrojtur për 50 vjet pa u paguar, tani do të fitojmë para”, u shpreh ai.
Trump argumentoi se barra financiare e garantimit të sigurisë në Ngushticën e Hormuzit nuk duhet të mbetet vetëm mbi Shtetet e Bashkuara.
“Nëse e bëjmë këtë, do të kompensohemi, sepse vendet e tjera janë shumë të pasura, janë në anën tonë dhe nuk mund të pritet që ne ta bëjmë falas, siç ka ndodhur për shumë vite”, shtoi presidenti amerikan.
Duke folur për marrëdhëniet me Iranin, Trump pretendoi se përfaqësuesit iranianë zhvilluan një takim 11-orësh me delegacionin amerikan, gjatë të cilit, sipas tij, ishte arritur një marrëveshje, por më pas Teherani kërkoi ndryshime.
“Dje patën një takim 11-orësh. Gjithçka u ra dakord. Pastaj largohen nga dhoma, telefonojnë përsëri dhe thonë se duhet të bëjnë disa ndryshime. Nuk do të bëjmë ndryshime. Ata janë negociatorë profesionistë, por nuk kanë marrë asgjë nga unë”, deklaroi Trump.
Ai shtoi se administratat e mëparshme amerikane kishin lejuar Iranin të forcohej gjatë dekadave të fundit. “Për 47 vjet kanë përfituar nga presidentët amerikanë. Çdo president i lejoi të bëheshin gjithnjë e më të fuqishëm”, tha ai.
Trump foli edhe për zhvillimet ushtarake, duke pretenduar se Irani po pëson humbje të mëdha dhe se aftësitë e tij ushtarake janë dëmtuar rëndë. “Shumica e pajisjeve të tyre është shkatërruar. Mbrojtja e tyre kundërajrore është zhdukur. Ne i goditëm shumë fort mbrëmë. Sa herë që ata dërgojnë një dron, ne i godasim shumë fort”, deklaroi presidenti amerikan.
Ai pohoi gjithashtu se një numër udhëheqësish iranianë janë vrarë gjatë konfliktit, ndërsa theksoi se Marina, Forcat Ajrore dhe kapacitetet raketore të Iranit janë pothuajse neutralizuar. Sipas deklaratave të Trump, Shtetet e Bashkuara vazhduan sulmet ndaj objektivave iraniane edhe të hënën, pasi ai kishte deklaruar gjatë fundjavës se armëpushimi me Iranin kishte përfunduar.
Teherani përgjigjet: Nuk do e lejojmë!
Teherani iu përgjigj deklaratave të mëparshme të Donald Trump se SHBA-të do të merrnin kontrollin e Ngushticës së Hormuzit në këmbim të kompensimit financiar.
Konkretisht, komanda e bashkuar e forcave të armatosura të Iranit paralajmëroi SHBA-të të mos përpiqeshin të ndërhynin në Hormuz dhe kërcënoi me sulme kundër atyre që bashkëpunojnë me Uashingtonin.
“Ne nuk lejojmë dhe nuk do të lejojmë që Shtetet e Bashkuara të ndërhyjnë në menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit”, tha Ebrahim Zolfaghari, një zëdhënës i Komandës Qendrore “Qatam al-Anbiya”, në komentet e transmetuara nga transmetuesi shtetëror IRIB.
Forcat iraniane do të “merren me ashpërsi me çdo ndërprerje dhe pasiguri” jashtë rrugës së përcaktuar nga Teherani.
“Çdo bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara dhe mbështetje logjistike për ushtrinë e saj agresive do të konsiderohet një luftë kundër sovranitetit dhe sigurisë kombëtare të Iranit”, tha Zolfaghari, duke shtuar se lufta mund të “përfshijë të gjitha vendet në rajon”.
© Panorama.al












