Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka firmosur urdhrat për zbatimin e vendimit të formës së prerë të Gjykatës Administrative të Apelit, duke i hapur rrugë rikthimit në detyrë të Alban Dokushit si Sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë së Tiranës.
Sipas njoftimit, urdhrat janë protokolluar në Bashki në zbatim të vendimit gjyqësor, i cili ka shpallur të pavlefshme aktet administrative që çuan në largimin e Dokushit nga shërbimi civil.
Në vendimin e saj, Gjykata Administrative e Apelit vlerëson se urdhri për lirimin nga detyra dhe ai për ndërprerjen e marrëdhënieve financiare janë absolutisht të pavlefshëm, duke theksuar se këto akte nuk kanë prodhuar dhe nuk mund të prodhojnë asnjë efekt juridik.
Vendimi, tashmë i formës së prerë, konfirmon përfundimisht rikthimin e Alban Dokushit në detyrë dhe detyron Bashkinë e Tiranës të zbatojë plotësisht verdiktin e gjykatës. Me firmosjen e urdhrave nga Erion Veliaj, procesi hyn në fazën e zbatimit administrativ, duke finalizuar rikthimin e Dokushit në postin që mbante para shkarkimit.
© Panorama.al












