Pothuajse një muaj pas nisjes së sulmeve amerikane kundër Iranit, Donald Trump raportohet se ka vendosur të dërgojë mijëra trupa shtesë në Lindjen e Mesme, edhe pse publikisht ai pretendon se lufta “tashmë është vendosur” në favor të Shteteve të Bashkuara.
Kjo kundërthënie ka shkaktuar pakënaqësi te bashkëpunëtorët e tij të lartë në Shtëpinë e Bardhë dhe te aleatët jashtë qeverisë, sipas tre burimeve që folën për MS NOW lidhur me retorikën publike të presidentit amerikan.
Të njëjtat burime e cilësuan mesazhin e Trump si të paqartë dhe të mbushur me kundërthënie të brendshme, duke theksuar se ai duket gjithnjë e më i shkëputur nga realiteti në terrenin e operacioneve.
Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë, i cili foli në kushte anonimiteti, deklaroi se pohimi i Trump se lufta është fituar tashmë është “kryesisht një ekzagjerim”, duke shtuar se “kjo është pjesë e prirjes [së Trump] për të shpallur fitore dhe për të kaluar më tej”.
Sipas të njëjtit zyrtar, kjo qasje është bërë më e theksuar ditët e fundit. “Trump ka filluar të mërzitet disi me çështjen e Iranit”, tha ai, duke sqaruar se kjo nuk do të thotë që ai pendohet për vendimet e tij, por se dëshiron ta mbyllë këtë çështje dhe të fokusohet në prioritete të tjera.
© Panorama.al












