“Mos u afro më shumë se 2 metra, se do të qëlloj”, shefi i Policisë rrëfen 8 orët e negociatave me autorin e tragjedisë në Roskovec: Më kërkoi të shkoja i vetëm dhe i paarmatosur

Jul 27, 2026 | 14:40

Shefi i Stacionit të Policisë Roskovec, Mariglen Koroveshaj, ka zbuluar detaje nga operacioni për shpëtimin e 24-vjeçares Rozalinda Plaka, e cila u mbajt peng nga ish-partneri i saj, Refit Buzi, pas krimit të rëndë ku mbetën të vrarë prindërit e së resë.

Efektivi i Policisë, i cili negocioi për orë të tëra me 35-vjeçarin, tregon se autori vendosi kushte, duke i kërkuar që të afrohej i vetëm dhe pa armë, ndërsa e paralajmëroi të mos i afrohej më shumë se dy metra.

“Jam afruar në vendin ku ndodhej, por ai refuzonte ta lironte vajzën, pasi e konsideronte si garanci që nuk do t’i ndodhte asgjë. Më kërkoi të afrohesha i vetëm dhe i paarmatosur. E zbatova kërkesën e tij. Kur u afrova, kërkoi sërish të bindej se nuk isha i armatosur. Duhej të bënim gjithçka që ai të mos acarohej më tepër, pasi qëllimi ynë ishte shpëtimi i jetës së pengut dhe i vetë autorit”, rrëfen Koroveshaj.

Sipas tij, pas negociatave u arrit që 35-vjeçari të lironte Rozalinda Plakën, e cila kishte pësuar lëndime në trup nga copat e xhamit të thyer gjatë sulmit me armë në banesën e familjes së saj.

“Kur u afrova, më tha ‘Mos bëj më asnjë lëvizje, mos u afro më shumë se do të vras veten’. U tërhoqa dhe vazhduam negociatat derisa u bë e mundur lirimi i pengut. Ishte një moment shumë i rrezikshëm. Në ato çaste mendon vetëm si të shpëtosh një jetë njeriu. Çdo sekondë ishte vendimtare”, shprehet ai.

Rozalinda Plaku Refit Buzi (1)

Menjëherë pas lirimit, 24-vjeçarja u transportua me urgjencë në Spitalin e Fierit, pasi ndodhej në gjendje të rënduar psikologjike.

Megjithëse vajza u shpëtua, negociatat nuk arritën ta bindnin autorin të vetëdorëzohej. I rrethuar nga forcat e Policisë dhe RENEA-s, Refit Buzi i dha fund jetës duke u vetëqëlluar me armë zjarri.

Ngjarja e rëndë ndodhi disa ditë më parë në fshatin Vidhisht të Roskovecit. Sipas Policisë, 35-vjeçari vrau me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, Kosta Plakën, 58 vjeç, plagosi rëndë ish-vjehrrën, Belere Plakën, 55 vjeçe, e cila ndërroi jetë më vonë në spital, dhe më pas mori peng ish-të fejuarën e tij, Rozalinda Plakën.

Lidhur me motivin e ngjarjes, hetimet janë përqendruar në dy pista kryesore, konfliktin pas ndarjes së çiftit dhe pretendimet e autorit për një shumë prej 180 mijë paundësh, të cilat ai kërkonte t’i ktheheshin pas përfundimit të lidhjes.

Refit Buzi
Refit Buzi

© Panorama.al

Te lidhura