Presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë deklarata të forta për të ardhmen e Ukrainës, duke pretenduar se vendi do të humbasë herët a vonë territoret e tij perëndimore, të cilat sipas tij dikur i përkisnin Polonisë, Hungarisë dhe Rumanisë.
Gjatë një takimi me zyrtarë të Marinës Ruse, Putin u shpreh se ky proces mund të mos ndodhë menjëherë, por sipas tij është i pashmangshëm.
“Jam i sigurt se herët a vonë Ukraina do t’i humbasë këto territore perëndimore, ato që dikur i përkisnin Polonisë, Hungarisë dhe Rumanisë. Kjo mund të mos ndodhë nesër apo pas një viti. Mund të duhen dy, dhjetë apo edhe pesëmbëdhjetë vjet, por historia përfundimisht do t’i vendosë gjërat në vendin e tyre”, deklaroi presidenti rus.
Putin përsëriti gjithashtu qëndrimin e Moskës se Rusia ka qenë garantuesi i vetëm i integritetit territorial të Ukrainës, duke pretenduar se marrëdhëniet mes dy vendeve u përkeqësuan pasi Kievi e konsideroi Rusinë si armik.
“Kishte vetëm një garantues të integritetit territorial të Ukrainës dhe ai ishte Rusia. Megjithatë, ata vendosën se ishte në interesin e tyre ta shpallnin Rusinë armiken e tyre”, tha Putin.
© Panorama.al












