“Qeveria po e shet mbivlerësimin e lekut si një sukses ekonomik”- Ekspertët kundërshtojnë: Zhvlerësimi i euros edhe për shkak të futjes në tregun vendas të parave të pista

Jul 27, 2026 | 14:07

Qeveria po e shet mbivlerësimin e monedhës vendase si një sukses ekonomik për Shqipërinë, por ekspertët argumentojnë se të dhënat makroekonomike janë të pamjaftueshme për të shpjeguar kursin e këmbimit, pa futur në analizë paratë informale.

rama delina

Monedha europiane, Euro ka humbur gati një të tretën e vlerës së saj kundrejt lekut shqiptar gjatë dekadës së fundit, duke zbritur nga rreth 140 lekë në vitin 2014 në më pak se 94 lekë këtë verë.

Në pamje të parë, ky zhvlerësim mund të konsiderohej një lajm i mirë për ekonominë dhe monedhën vendase. Por zhvlerësimi i pandalshëm i euros ka rihapur debatin nëse ai bazohet vetëm në rregullat standarde të ekonomisë apo lidhet edhe me ndikimin e parave të pista.

Një pyetje vazhdon të marrë përgjigje kontradiktore; çfarë tregon në të vërtetë kursi i këmbimit për ekonominë shqiptare?

Qeveria e konsideron mbivlerësimin e lekut si rrjedhojë të përmirësimit të treguesve makroekonomikë të vendit. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj u përfshi ditët e fundit në replika me ekspertë të ekonomisë dhe gazetarë, të cilët sugjeronin se zhvlerësimi i euros vinte edhe për shkak të futjes në tregun vendas të parave të pista të trafikut të drogës.

Në të kundërt, ministrja Ibrahimaj argumentoi se mbiçmimi i monedhës vendase reflekton rritjen e të ardhurave nga turizmi, remitancat, investimet e huaja, eksportet e mallrave dhe shërbimeve, si edhe përmirësimin e pozicionit të jashtëm të ekonomisë. Duke iu referuar vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, ajo kundërshtoi pretendimet se ekonomia informale apo kapitali kriminal mund të konsiderohen shpjegim për forcimin e lekut. Sipas saj, nuk ka të dhëna zyrtare për të provuar këtë lidhje.

Qëndrimi zyrtar u kundërshtua nga ekonomistë dhe analistë, të cilët argumentuan se statistikat e ofruara nga Ibrahimaj nuk mjaftojnë për të shpjeguar sjelljen e kursit të këmbimit.

Irena Beqiraj, eksperte e ekonomisë dhe ish-zv.ministre e Financave ngriti dyshime se flukset valutore të raportuara nga turizmi, remitancat dhe investimet e huaja nuk shpjegojnë plotësisht ritmin e forcimit të lekut. Ajo sugjeroi se duhej analizuar roli i ekonomisë informale dhe hyrja në treg e parave nga trafiku i drogës.

Ndërsa gazetari Lutfi Dervishi e fokusoi debatin te pasojat sociale të fenomenit, duke argumentuar se efekti real i kursit të këmbimit duhet të vlerësohet përmes fuqisë blerëse të qytetarëve dhe jo vetëm përmes statistikave makroekonomike.

Për ekspertët e ekonomisë, fenomeni i zhvlerësimit të euros nuk mund të reduktohet në një zgjedhje mes turizmit dhe ekonomisë informale, pasi sipas tyre, kursi i këmbimit duhet analizuar në raport me produktivitetin, konkurrueshmërinë e ekonomisë dhe strukturën e rritjes ekonomike, elementë që, sipas tyre, tregojnë një panoramë më komplekse sesa ajo që pasqyrohet nga kursi i këmbimit.

“Forcimi i lekut nuk duhet parë automatikisht si provë e një ekonomie më produktive apo më konkurruese,” tha për BIRN Eduart Gjokutaj, drejtues i organizatës ALTAX me fokus te transparenca dhe politikat e qëndrueshme të zhvillimit.

“Një monedhë forcohet në mënyrë të qëndrueshme kur ekonomia prodhon më shumë, eksporton më shumë produkte me vlerë të shtuar dhe rrit produktivitetin. Në rastin e Shqipërisë, kursi i këmbimit është ndikuar nga një kombinim faktorësh, ku përveç hyrjeve të ligjshme të valutës kanë rol edhe ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë dhe flukset informale të euros,” shtoi Gjokutaj.

Sipas tij, forcimi i lekut reflekton më shumë një rritje të ofertës së valutës sesa një transformim real të ekonomisë.

Ola Xama, gazetare e ekonomisë dhe autore e emisionit “Kronos” sjell gjithashtu në vëmendje literaturën e ekonomisë, sipas së cilës forcimi i monedhës vendase duhet të shoqërohet me rritje ekonomike me faktorë kryesorë rritjen e sektorëve prodhues dhe eksportet.

“Gjatë viteve të fundit, ritmi i rritjes ekonomike ka qenë stabël dhe jo në raport të njëjtë me forcimin e monedhës vendëse,“ thotë Xama, e cila shpjegon gjithashtu se eksportet, bujqësia dhe manifaktura kanë qenë në rënie.

Xama thekson se edhe pas operacioneve të blerjes së monedhës nga Banka e Shqipërisë, euro u zhvlerësua sërish me 6.3%, duke evidentuar flukset e pajustifikuara të valutës si shpjegim për këtë fenomen.

“Kjo mund të shpjegohet vetëm me flukse të pajustifikuara të valutës dhe kjo pranohet edhe në tabelën shoqëruese të deklaratës së ndërhyrjes në tregun e parasë të Bankës së Shqipërisë, ku shprehimisht thuhet se ndërhyrjet janë bërë me qëllim forcimin e mëtejshëm të kursit të këmbimit,” theksoi ajo.

Edhe Ornela Liperi, kryeredaktore e revistës ekonomike “Monitor”, beson se zhvlerësim i euros kundrejt lekut nuk mund të shihet si forcim i ekonomisë vendase, pa analizuar faktorët e tjerë.

“Kursi aktual i këmbimit nuk reflekton asnjë ekonomi konkurruese dhe produktive, përkundrazi e ka bërë ekonominë më pak konkurruese, sidomos eksportet,” tha Liperi.

Në mënyrë kontradiktore, sipas Liperit, ndërsa leku është forcuar, bujqësia dhe industria kanë shënuar tkurrje për më shumë se dy vjet, eksportet e mallrave kanë rënë, ndërsa rritja ekonomike është mbështetur kryesisht te ndërtimi, pasuritë e paluajtshme dhe rritja e pagave në administratë publike.

Për këtë arsye, ajo argumenton se mbiçmimi i lekut reflekton më shumë një rritje të ofertës së euros, ku, krahas turizmit, rol kanë luajtur edhe flukset informale të kapitalit, sesa një përmirësim të produktivitetit apo të konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare.

Duke analizuar fenomenin që ka nisur një dekadë më parë, Liperi e lidh kurbën e rënies së euros me zgjerimin e sektorit të ndërtimit dhe të pasurive të paluajtshme, një sektor që u përdor për të investuar paratë e përfituara nga prodhimi dhe trafiku i drogës.

“Raporti i SPAK tregoi se sa lehtë futej paraja e krimit në ndërtim, përmes kalimit cash nga kufiri,” thekson Liperi.

Duke u bazuar mbi këto të dhëna, debati nuk është nëse faktorët e përmendur nga qeveria kanë ndikuar në kursin e këmbimit, por nëse ata e shpjegojnë të gjithë fenomenin.

Sipas ekspertëve, zhvillimet në ndërtim, tregun e pasurive të paluajtshme, ekonominë gri dhe dobësimi i sektorëve prodhues tregojnë se mbiçmimi i lekut nuk mund të analizohet vetëm përmes treguesve makroekonomikë, por kërkon edhe një lexim të burimeve të valutës që hyjnë në ekonomi.

Gjokutaj argumenton se remitancat e padeklaruara, të ardhurat cash nga turizmi, aktiviteti i ekonomisë gri dhe investimet në ndërtim kanë rritur ofertën e euros në treg, duke ushtruar presion mbi kursin e këmbimit. Edhe pse këto flukse nuk maten drejtpërdrejt, ai thotë se ato lënë gjurmë në ekonomi.

Sipas tij, problemi nuk qëndron te fakti që qeveria përmend turizmin apo investimet e huaja, por se ndalet aty.

“Argumentet e ministres janë pjesërisht të sakta”, thotë ai, pasi hyrjet valutore nga turizmi dhe shërbimet janë rritur, por ato nuk shpjegojnë pse, në të njëjtën kohë, eksportet e mallrave kanë humbur konkurrueshmëri dhe sektorët prodhues po tkurren.

Edhe për Ornela Liperin, rënia e euros nuk mund të shpjegohet vetëm me rritjen e turizmit apo të investimeve të huaja. Sipas saj, deri në vitin 2024 ndikim kryesor kanë pasur flukset informale të kapitalit, ndërsa më u shtuan edhe hyrjet valutore nga turizmi.

“Është praktikisht e pamundur të ndahet se sa ka ndikuar njëri apo tjetri faktor,” tha Liperi, ndërsa shpjegoi se një pjesë e parasë informale mund të përfshihet indirekt në vlerësimet për remitancat dhe shpenzimet e turistëve, të cilat Banka e Shqipërisë i llogarit mbi bazën e metodave statistikore.

Liperi vlerëson se argumentet e qeverisë nuk përputhen plotësisht me zhvillimet e ekonomisë reale, ndërsa ngre pikëpyetje edhe mbi cilësinë e investimeve të huaja, duke argumentuar se një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk krijon kapacitete të reja prodhuese.

Në këtë kontekst, ajo bën përgjegjëse direkte qeverinë që “ka lënë paranë e krimit të hyjë në ndërtim, duke ndikuar në forcimin artificial të monedhës vendase dhe duke e shitur këtë si sukses ekonomik”./BIRN

© Panorama.al

Te lidhura