Bëhet fjalë për ndeshjet Dinamo-Skënderbeu 1-3, Flamurtari-Elbasani 4-0 dhe Shkumbini-Bylis. Lajmin e ka bërë të ditur zyra për shtyp, e cila ka konfirmuar se do të zhvillohet një seancë pyetsore me të dërguarit e FSHF-së në këto tri takime.
Rëndësia – Marrja në pyetje e zyrtarëve të FSHF-së, që kanë monitoruar ndeshjet nga afër, është edhe hapi i parë zyrtar në procesin e hetimit të këtyre ndeshjeve. Dëshmitë e tyre mund të përdoren më pas edhe si prova, në momentin kur do të merret një vendim mbi këtë çështje. Vlen të theksohet se dëshmitë e delegatëve dhe të vëzhguesve do të merren në shqyrtim edhe nga investiguesit e UEFA-s, që pritet të mbërrijnë në Tiranë së shpejti. Vetë drejtuesit e FSHF-së kanë pohuar disa ditë më parë se investiguesit ndër të tjera do të shqyrtojnë deklaratat e bëra nga zyrtarët e klubeve, vëzhguesit e federatës, relacionet e arbitrave, apo edhe deklaratat e bëra në media (akuza dhe kundërakuza).
Mjetet – Duhet thënë se Federata Shqiptare e Futbollit, pavarësisht vullnetit të saj së fundmi, asnjëherë nuk ka pasur një strategji të qartë për të luftuar fenomenin e trukimeve të ndeshjeve. Kjo u ka dhënë kurajë drejtuesve të klubeve dhe futbollistëve për të bërë “estradë” në fushën e lojës. Megjithatë, duhet përmendur se FSHF ka pak mundësi që të zbardhë plotësisht një skandal të tillë, pasi nuk ka mjetet dhe infrastrukturën e duhur. Për t’i shkuar deri në fund një procesi të tillë hetimor, duhet edhe përfshirja e shtetit shqiptar për të siguruar prova nëpërmjet përgjimeve, apo monitorimit të kompanive të basteve. Interesant është fakti që kompanitë e basteve në Shqipëri asnjëherë nuk e kanë ngritur zërin mbi trukimet, pasi në fund të fundit edhe ato penalizohen direkt kur rezultatet e ndeshjeve janë të paracaktuara. Kjo vjen si pasojë e masave të rrepta, shpeshherë edhe e bojkotimit që ato u bëjnë ndeshjeve të kampionatit shqiptar.
ATA QË DO TË PYETEN
Dinamo-Skënderbeu 1-3
Delegat: Ilir Shulku
Vëzhgues: Astrit Mema
Flamurtari-Elbasani 4-0
Delegat: Besnik Çela
Vëzhgues: Stavri Papa
Shkumbini-Bylis 4-2
Delegat: Zija Shaba
Vëzhgues: Besnik Kaimi
JETMIR HALILAJ
© Panorama.al











