Tritol biznesmenit të ndërtimit

Mar 29, 2011 | 11:58

Një automjet “Audi Q7” me targa amerikane, në pronësi të një biznesmeni ndërtimi, shpërtheu mbrëmë në afërsi të Gardës së Republikës.Në këtë ngjarje mbeti i plagosur një ish-oficer policie në lirim, që punonte si shofer i biznesmenit. Ngjarja ka ndodhur në ora 20:40 minuta, kur një sasi tritoli ka shpërthyer sapo drejtuesi i mjetit, Altin Deda, ka hapur derën e fuoristradës. Burime zyrtare të policisë deklaruan mbrëmë se Altin Deda, oficer në lirim, ka pësuar plagosje të lehtë si pasojë e ngjarjes. Ndërkohë, biznesmeni i ndërtimit, Genti Sauku, i njohur edhe si pronar tokash në Tiranë, ka shpëtuar pa dëmtime, pasi ndodhej larg automjetit në momentin kur ndodhi aktivizimi i eksplozivit. Policia menjëherë ka mbërritur në vendin e ngjarjes, duke dyshuar për ndonjë incident që lidhej me Gardën e Republikës, pasi shpërthimi kishte ndodhur ngjitur me postbllokun hyrës të këtij institucioni. Të plagosurit i është dhënë ndihma për transportim drejt spitalit, ndërkohë që forcat e policisë kanë kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes. Sipas veprimeve hetimore të kryera mbrëmë nga policia, sasia e eksplozivit të vendosur në automjet nuk ka qenë e madhe. “Dyshojmë për një sasi prej 50 gramë lëndë plasëse të vendosur në kroskotin e mjetit”, kanë thënë agjentët e policisë. Sipas tyre, biznesmeni i ndërtimit Genti Sauku dhe shoferi i tij, e kishin parkuar automjetin pranë hyrjes së Gardës së Republikës, rreth një orë e gjysmë para se të ndodhte ngjarja. Disa burime thanë se ata të dy ndodheshin në një palestër, ndërsa të dhëna të tjerë sugjerojnë se si biznesmeni, ashtu dhe polici, kanë bërë disa minuta vrap në zonën e Liqenit Artificial dhe më pas janë kthyer tek automjeti. Policia ka sekuestruar mbrëmë mostrat e nevojshme për kryerjen e ekzaminimeve mbi mekanizmin shpërthyes, nëse ka qenë me telekomandë apo me mënyra të tjera aktivizimi, pasi ngjarja ka ndodhur sapo oficeri i policisë në lirim ka hapur derën e mjetit. Hetuesit kanë marrë në pyetje për disa orë biznesmenin Genti Sauku dhe shoferin e tij, oficerin në lirim Altin Deda, por ata kanë mohuar të kenë pasur konflikte apo mosmarrëveshje që mund të shkaktonin ngjarjen. Policia tha se po heton konfliktet e mundshme të dy personave, ndërkohë që objekt i hetimit është edhe pista sipas të cilës automjeti mund të jetë ngatërruar dhe autorët “kanë gabuar shënjestër”. Disa persona që u gjetën në zonën ku ndodhi shpërthimi, janë shoqëruar mbrëmë në policinë e Tiranës dhe më pas janë lënë të lirë, pasi kanë dhënë deklarime mbi ngjarjen.                         e.d

Biznesi në fushën e ndërtimit

Pronari i makinës në të cilën ndodhi shpërthimi mbrëmjen e djeshme, rezulton të jetë aksioner në kompaninë e ndërtimit “COMEXA 2010”. Sipas të dhënave nga ekstrakti i QKR, kjo kompani merret me ndërtim të ndërtesave civile dhe industriale, diga, porte, rrugë etj, prodhim të lëndëve të para si rërë e zhavorr te fraksioneve te ndryshme, ndërtim dhe vënien në funksion të impianteve për pastrimin e mbeturinave urbane dhe prodhimin e energjisë alternative. Kompania ka zyra në Tiranë dhe në Lezhë.

© Panorama.al

Te lidhura