Tri padi të reja në 3-vjetorin e Gërdecit

Mar 16, 2011 | 12:04

Ditën e djeshme, në përvjetorin e tretë të shpërthimit katastrofik të 15 marsit 2008 në Gërdec, 25 të plagosur rëndë në tragjedi paditin ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për “plagosje të rëndë nga pakujdesia”.Kjo padi është dorëzuar në Gjykatën Penale të Tiranës. Njëkohësisht, 111 persona të prekur nga shpërthimi i janë drejtuar Gjykatës së Tiranës me një kërkesë-padi për dëmshpërblimin, duke paditur ndërmarrjen “MEICO” dhe kompaninë “Albademil”. Ata kërkojnë dëmshpërblim për dëmet pasurore e jopasurore dhe morale për shkak të shpërthimit që mori 26 jetë njerëzish, plagosi mbi 300 të tjerë, si dhe shkaktoi dëme të shumta materiale. Paditë u depozituan nëpërmjet avokatëve të qendrës “Respublika”, e cila po u mundëson ndihmën juridike të lënduarve nga shpërthimi i Gërdecit. Bëhet e ditur se kërkesë-paditë u dorëzuan dje, pasi referuar ligjeve në fuqi, përfundimi i afatit 3-vjeçar i jep fund edhe së drejtës për të ngritur padi për këtë vepër penale.
PADITË
Depozitimi i kërkesë-padive të të lënduarve nga shpërthimi i Gërdecit u konfirmua dje nga burime pranë Gjykatës së Tiranës, si dhe nga përfaqësues të “Respublika”-s. Padia e parë ka qenë ajo e depozituar në Dhomën Penale të Gjykatës së Tiranës, me anë të së cilës 25 persona kërkojnë vënien në përgjegjësi penale të ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu. Referuar kërkesës, paditësit e akuzojnë ish-ministrin për “plagosje të rëndë nga pakujdesia”. Sipas tyre, ish-ministri ka kryer veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës së tij në cilësinë e ish-ministrit të Mbrojtjes, se ato kanë lidhje shkakësore me pasojat e ardhura nga ngjarja e ndodhur në Gërdec. Për këtë padi pritet që Gjykata e Tiranës të shpallë moskompetencë dhe ta dërgojë atë për shqyrtim në Gjykatën e Lartë për shkak të imunitetit që ka i padituri Mediu, nisur nga funksioni aktual si ministër i Mjedisit.
Po dje, dy padi të tjera u regjistruan në Dhomën Civile të Gjykatës së Tiranës në lidhje me dëmshpërblimin për shkak të tragjedisë. Padia e parë ka si paditës Roxhers Durdën dhe Alketa Azizin. Si palë e paditur në të janë: shoqëria “Albademil”, ndërmarrja “MEICO”, i pandehuri Mihal Delijorgji, si dhe i pandehuri tjetër Ylli Pinari. Në padinë tjetër, që kishte 109 paditës, palë e paditur ishin: Ministria e Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave, shoqëria “Albademil”, ndërmarrja “MEICO”, si dhe të pandehurit Ylli Pinari dhe Mihal Delijorgji. Bëhet e ditur se objekti i kërkesë-padive ishte i njëjtë. “Kërkojmë shpërblim dëmi pasuror dhe jopasuror, biologjik, moral dhe ekzistencial për plagosjet e shkaktuara nga shpërthimi i fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec më 15 mars 2008”, thuhej në objektet e kërkesë-padive. Mësohet se në përmbajtjen e kërkesë-padive nuk është cilësuar shuma e kërkuar për dëmshpërblim. Sipas paditësve, kjo shumë do të përcaktohet gjatë shqyrtimit të kërkesës. Pas regjistrimit në sekretarinë e gjykatës pritet që në ditët në vijim paditë t’i nënshtrohen shortit elektronik për përcaktimin e gjyqtarëve shqyrtues të tyre.

Gjykata e Lartë

Më 1 mars të vitit 2010 një Kolegj Penal i Gjykatës së Lartë rrëzoi pretendimet e dy të plagosurve, Roxhers Durda dhe Alketa Hazizaj, për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu. Durda dhe Hazizaj i ishin drejtuar gjykatës me një kërkesë për heqjen e imunitetit të Mediut, pasi, sipas tyre, kishte shkaktuar plagosjen e rëndë të tyre nga pakujdesia. Kërkesa u rrëzua nga gjykata dhe çështja u pushua me argumentin se nuk ekzistonin provat që të vërtetonin akuzën se Fatmir Mediu,
me veprimet apo mosveprimet e tij, të kishte
sjellë dëmtimin e paditësve.

Familjarët në Kushtetuese

Në korrik të vitit 2009, Gjykata Kushtetuese u hoqi të drejtën familjarëve të viktimave të tragjedisë së Gërdecit për t’u bërë palë në procesin penal. Gjykata Kushtetuese vendosi të mos e kalonte çështjen në seancë gjyqësore. Në këtë mënyrë mbeti i pacenuar vendimi i mëparshëm i Gjykatës së Lartë, që i veçoi familjarët nga procesi duke i dërguar ata në një proces të veçantë civil. Në vendimin e saj Gjykata Kushtetuese shprehej se ndodhej përpara një vendimi të ndërmjetëm që nuk kishte të bënte me një gjykim përfundimtar. Në dërgimin e dosjes “Gërdeci” në Gjykatën e Lartë, familjarët e viktimave të Gërdecit kërkuan të ishin
si palë e dëmtuar në proces.

© Panorama.al

Te lidhura