KAVAJE/TIRANE – Tri aksidente u regjistruan brenda më pak se 24 orësh në Tiranë e Kavajë, me 1 të vdekur e dy të plagosur. Ngjarja më e rëndë është regjistruar në aksin rrugor Kavajë-Rrogozhinë, ku një autobus me targa të Beratit 18 53 B, ka përplasur një kalimtar teksa po tentonte të kalonte nga njëri krah i rrugës në tjetrin. Si pasojë e përplasjes së fortë ka gjetur vdekjen e menjëhershme një 30-vjeçar i seksit mashkull, ende i paidentifikuar nga policia. Policia po heton rrethanat në të cilat ndodhi aksidenti, ndërsa ka ndaluar drejtuesin e autobusit, Albano Alika. Paraprakisht mendohet që shkak për aksidentin të jetë bërë pakujdesia e kalimtarit si dhe shpejtësia me të cilën po udhëtonte autobusi. Si pasojë e aksidentit, aksi rrugor është bllokuar për disa minuta, ku është dashur ndërhyrja e efektivave të policisë rrugore për të normalizuar trafikun. Ndërsa dy aksidentet që ndodhën mbrëmjen e së dielës në dy zona të ndryshme të Tiranës, çuan në pranga drejtuesit e mjeteve të akuzuar për “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”. Sipas burimeve nga policia e kryeqytetit, mësohet se është arrestuar në flagrancë 24-vjeçari Arben Koçi, i cili duke drejtuar mjetin tip “Fiat Punto”, me targë BA E34942, ka aksidentuar kalimtaren 13-vjeçare, E.Elezi, e cila ndodhet në Spitalin Ushtarak në gjendje të rëndë shëndetësore. Ngjarja për të cilën akuzohet Koçi ndodhi mbrëmjen e së dielës, në afërsi të Institutit Bujqësor. Ndërsa për një tjetër aksident, me pasojë plagosjen e rëndë të një të moshuari, pranë “Farmacisë 10”, tek rruga “Bardhyl”, në Tiranë, pasi u largua fillimisht nga vendi i ngjarjes, oficerët e Njësisë Rajonale të Policisë Rrugore të kryeqytetit mundën të gjejnë dhe të arrestojnë drejtuesin e mjetit. Mësohet se në pranga ka përfunduar Ahmet Gjoni, 73-vjeçar, i cili duke drejtuar mjetin tip “Fiat Fiorina”, me targë TR 6578 R, ka aksidentuar këmbësorin Ismail Bali, 73 vjeç, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin Ushtarak. l.m/ e.d











