Tregti mallrash me Kosovën, kuksianët kërkojnë lehtësira

Mar 7, 2011 | 9:34

Dhjetëra tregtarë që ushtrojnë këtë aktivitet, kryesisht me furgonë mallrash, këto masa shtrënguese po i vuajnë jo vetëm në shërbimin doganor të Vërmicës, por dhe në thellësi të Kosovës, në pikat e furnizimit me shumicë dhe pakicë si dhe në postblloqet që ngrenë njësitë task-force të doganës së Kosovës dhe njësive të policisë. Shoferët nga Kukësi thonë se po përballen jo vetëm me taksa të larta në doganë, por dhe me bllokime mallrash dhe automjetesh në Kosovë. Disa prej tyre thonë se gjatë operacioneve të kontrollit u janë bllokuar mjetet dhe janë gjobitur me nga 100 euro. Organet fiskale dhe tatimore të Kosovës kërkojnë dokumentet shoqëruese të mallrave dhe gjithë dokumentacionin tjetër. Për shumë drejtues automjetesh, tashmë kalimi i mallit është kthyer në një sfidë. Shpeshherë ata thonë se qëndrojnë edhe në pritje të kalimit për ditë të tëra. Shërbimet doganore, si në Kosovë dhe në Shqipëri, kanë shtuar kërkesat, duke mos toleruar kalim mallrash pa zhdoganim, por kjo është një barrë e papërballueshme për shumë tregtarë ambulantë, të cilët kanë falimentuar ose kanë lënë punën. Shërbimi doganor ka mundur të identifikojë ata që e bëjnë këtë punë të përditshme për tregti dhe ata që marrin për konsum familjar. Pak vite më parë ishte përllogaritur se nga moszhdoganimi i mallrave të tillë, shtetit shqiptar i shkaktohej një evazion fiskal prej 4 mijë eurosh në ditë. Bllokimi i mallrave nga Kosova sjell menjëherë rritje të çmimeve në tregun e Kukësit, kur dihet se dhe baza ushqimore e bagëtive më së shumti merret në Kosovë. Shumica e mallrave të tregut të përditshëm agro-industrial, ushqimor dhe mielli sigurohen nga tregjet e Kosovës, kryesisht nga tregu i Prizrenit, ndërkohë që fruta-perimet merren apo dërgohen në tregjet e Prizrenit sipas sezonit. Jo vetëm tregtarët, por dhe autoritetet vendore kanë kërkuar që të ketë favore për banorët e zonës kufitare në shkëmbimet tregtare me Kosovën. Por marrëveshjet e përbashkëta për lehtësimin e barrierave fiskale duhet të shoqërohen dhe me ndryshime në kodin doganor. Deri tani Shqipëria dhe Kosova kanë nënshkruar mes tyre Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë dhe atë të Heqjes së Taksës së Dyfishtë, por ende nuk ka marrëveshje që favorizon tregtinë e vogël ndërkufitare. Këto lloj marrëveshjesh kanë ngelur në suazën e seminareve dhe OJQ-ve, që nxisin një liberalizim të marrëdhënieve ndërkufitare mes rajoneve.

 

KUKES/ JONUZ HALLAÇI

© Panorama.al

Te lidhura