Sali Berisha po përpiqet të mbajë të bashkuar frontin opozitar edhe pas humbjes në zgjedhje, duke ofruar mbështetje politike për aleatët e vjetër.
Pavarësisht se Partia e Lirisë nuk arriti të sigurojë numrin e mjaftueshëm të deputetëve për të krijuar një grup parlamentar, Berisha ka vendosur t’i japë Ilir Metës 3 deputetë hua, pas katër mandateve të sigurta që i dhuroi në listat shumëemërore.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, e konfirmoi marrëveshjen në një intervistë për Top Channel:
“Kemi rënë dakord që, nëse nuk arrijmë pragun prej 7 deputetësh për krijimin e grupit, do marrim tre deputetë nga Partia Demokratike, në mënyrë që të jemi një zë i rëndësishëm në Kuvend. Zëri i zotit Meta do të dëgjohet fuqishëm në çdo seancë dhe komision parlamentar.”
Përfitimi nga krijimi i një grupi parlamentar nuk është vetëm simbolik. Ai sjell benefite konkrete: më shumë kohë në debate, staf të dedikuar, zyra dhe përfaqësim në komisione. Kjo do të shërbejë si një bonus politik për Metën, i cili pritet të koordinojë aksionin opozitar nga burgu.
Nga ana tjetër, Sali Berisha ende nuk ka zbardhur qëndrimin përfundimtar të Partisë Demokratike në raport me Parlamentin e ri. I pyetur për këtë çështje, ai tha:
“Në ditët në vijim do të mblidhen forumet dhe do të marrin vendimet përkatëse.”
Ndërkohë, Partia e Lirisë ka paralajmëruar se nuk do të ketë bojkot, por një aksion të fortë politik, përfshirë protesta. Blushi shtoi:
“E vetmja rrugë është asnjë hap pas. Bojkoti i dikurshëm rezultoi tradhti ndaj opozitës dhe vendit.”
E njëjta praktikë huazimi mandatesh do të përdoret edhe për aleatët e tjerë, si Fatmir Mediu, Vangjel Dule dhe përfaqësuesi i Agron Dukës, që gjithashtu u përfshinë në listat e Berishës.
© Panorama.al












