Transporti detar, marrëveshje Gjermani-Shqipëri

Mar 17, 2011 | 11:03

TIRANË- Seanca e sotme e Kuvendit ka nisur me diskutime për miratimin e marrëveshjes së transportit detar mes qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë. Ndërkohë që deputetet e maxhorancës kanë vlerësuar si shumë të rëndësishme, jo vetëm marrëveshjen në fjalë, por edhe shumë reforma që janë bërë në këtë sektor, opozita ka kritikuar për gjendjen  në të cilën ndodhen sot portet detare në vend. Sipas deputetit të PS-së, Arben Malaj, marrëveshja është e rëndësishme, por miratimi i saj duhet të pasohet me  rezultate konkrete.

“Situata në transportin detar është në momente kritike, në portet më të rëndësishme të vendit investimet janë thuajse të bllokuara, shikoni në Durrës, Vlorë, Sarandë, Shëngjin dhe kuptohet se vlerësimi real i transportit detar nuk është ai që pretendohet”- ka thënë Malaj.

Ndërkohë deputetet e PD-së, kanë kërkuar miratimin e marrëveshjes, sipas të cilës palët  angazhohen për krijimin e të gjitha lehtësirave të transportit detar.

Maxhoranca ka pranuar një sërë reformash të bërë në strukturën e administratës detare, e cila tashmë sipas saj është bashkëkohore dhe e barabartë me strukturat e vendeve të tjera dhe një regjistër detar që punon në përputhje me konventat detare .

Axhenda e punimeve parlamentare do të vijojë më pas me diskutimin e pr/ligjit “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën “Për ligjin e zbatueshëm për detyrimet ushqimore”, me pr/ligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën “Për njohjen dhe zbatimin e vendimeve në lidhje me detyrimet ushqimore”, si dhe disa ndryshime në ligjin “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”.

Ne fund,  para pjese se diskutimeve jashte rendit te dites do te kaloje per votim edhe Projektvendi “Për ngritjen e komisionit hetimor të Kuvendit për hetimin e drejtimit dhe veprimtarisë së organeve drejtuese dhe shërbimeve të Kuvendit për periudhën shtator 2005 – dhjetor 2010”.

© Panorama.al

Te lidhura