Kryebashkiaku i Maliqit, Gëzim Topçiu tha sot se ngjarja e djeshme ku zjarri vrau dy anëtarë familjeje, mes të cilëve një fëmijë, teksa një i tretë po fëmijë po lufton me vdekjen në spital, është njuë tragjedi fatkeqe.
Sipas tij, Bashkia do ndihmojë më tej me të gjitha shpenzimet, teksa familja në fjalë ka qenë në ndihmë sociale dhe merrte të gjitha shërbimet, por ai theksoi se kjo ngjarje është kambanë alarmi për të gjitha institucionet. Nga ngjarja humbën jetën nëna, merjeme Hazisllari dhe djali 14-vjeçar, Luka, kurse vajza 6 vjeçare, Nefelia, ka plagë të rënda.
“Një situatë e vështirë jo vetëm për ne si institucion por për të gjithë qytetarët e Maliqit, të cilët shprehin ngushëllimet për familjen. Shpresojmë që vajza të bëhet mirë, i urojmë shërim të shpejtë dhe patjetër që bashkia do të jetë në mbështetje të familjes me të gjitha mundësitë që ne kemi, për ta mbështetur financiarisht por jo vetëm. Do të jemi çdo ditë krah kësaj familje. Qyteti sot është në zi të plotë. E ngushëlloj familjen, i jap forcë në emër të pushtetit vendor dhe le të shpresojmë që vajza të bëhet mirë”, tha kryebashkiaku.
Më tej ai shpjegoi se institucioni do të heqë të gjitha shpenzimet, teksa do ndërmarrë edhe disa iniciativa personale me bizneset, pasi procedurat ligjore shpesh zgjatin shumë dhe duhet një zgjidhje e shpejtë për këtë rast fatkeq.
“Të gjitha shpenzimet që kanë të bëjnë me ceremoninë por jo vetëm, do të mbulohen nga bashkia. Unë do të marr disa nismën time personale me bizneset sepse aty do të jetë ndërhyrja më e shpejtë, për të mos pritur procedurat ligjore, që ndonjëherë zgjatin shumë. Rasti është i veçantë dhe ne duhet të ndërhyjmë sa të kemi mundësi. Nga informacioni që kam, familja ka qenë pjesë e shërbimit social dhe e qendrës komunitare që ne kemi aty. Nuk besoj që ne nuk mund të kemi pasur ndihmat e nevojshme, rasti është fatkeq”, tha ai.
Në fund shpjegoi se ka raste të ngjashme që Bashkia i trajtion sipas ligjit, por sipas tij, ky është jo vetëm detyrim ligjor, por edhe kambanë alarmi për të gjitha institucionet.
“Ne kemi raste të shumta të tilla që i trajtojmë, i mbështesim dhe kështu do të vazhdojmë. Këto raste nuk janë vetëm detyrim ligjor por duhet të jenë kambanë alarmi për të gjitha institucionet. Ky do të jetë rast që do na japë forcë më shumë për të marrë masa më të rrepta e më të gjera për ti mbështetur”, përfundoi Topçiu.
Ngushëllimet po bëhen në banesën e xhaxhait të fëmijëve, i cili ka hapur dyert e mortit, pasi banesa e vëllait të tij është shkrumbuar totalisht nga flakët.
Nënë e bir do të përcillen për në banesën e fundit në orën 15:00.
© Panorama.al












