Tragjedia e Otrantos, pas 14 vitesh ende e pazbardhur

Mar 28, 2011 | 11:16

Familjarët e tragjedisë së Otrantos, apel shtetit për t’i dhënë zgjidhje sa më shpejt çështjes së tyre.Dje, një ditë para se të mbushen plot 14 vite nga tragjedia më e madhe e ndodhur ndonjëherë në ujërat e detit Jon, ku u mbytën 81 persona dhe 24 të tjerë ende nuk janë gjetur, familjarë dhe të afërm të mbyturve në këtë tragjedi i bëjnë apel shtetit që të ndihmojë këta familjarë për zgjidhjen sa më shpejt të çështjes së tyre.
Ata thonë se kanë mbi dhjetë vite që po enden nëpër dyert e gjykatave dhe nuk kanë marrë asnjë zgjidhje. Pushime Çala, kryetare e përfaqësuesve të familjarëve të të mbyturve të Otrantos, në një deklaratë për mediat është shprehur se kanë kaluar 14 vjet nga kjo tragjedi, e cila vazhdon të mbetet e tillë. “Ne, si prindër që kemi humbur fëmijët tanë më 28 mars të vitit 1997 me anijen “Katri i Radës”, vazhdojmë të zvarritemi në proceset gjyqësore, duke kaluar mbi trupin e atyre të mbyturve, dhe kjo akoma më shumë na i shton dhimbjen dhe vazhdon të mbetet akoma një tragjedi, që s’po merr zgjidhje. Për këtë, ne sot jemi mbledhur dhe kërkojmë mbështetjen e shtetit, kërkojmë një përfaqësi që të na mbështesë dhe përfaqësojë në çështjet gjyqësore, sepse ne duhet të ndihemi të vlerësuar nga shteti shqiptar”. Çala ka kërkuar publikisht që të largohet avokatja Natasha Shehu, e cila sipas saj, ka ardhur në Shqipëri, me qëllim që të përfitonte dëmshpërblimin e dhënë nga shteti italian. “Të largohet nga përfaqësimi ynë, pasi ajo nuk na ka mbrojtur, por ka luajtur me ne për të marrë shumat e atyre që sot nuk jetojnë më. Një javë më parë, në gjyqin e apelit në Leçe që ne bëmë, ajo ka qenë i vetmi person që ka hedhur helm për nënat e të mbyturve dhe ka qenë ajo shkaktare që nuk është zhvilluar gjyqi në Gjykatën e Apelit në Leçe. I kërkojmë shtetit shqiptar që të fillojë hetimet ndaj këtij personi dhe të bllokojë të gjitha asetet që ajo ka në Shqipëri, pasi disponon shuma të mëdha që ka përfituar nga dëmshpërblimi i fëmijëve tanë. Ai dëmshpërblim pikon gjak dhe nuk mund ta marrë kjo pseudo avokate”. Tjetër kërkesë e familjarëve të viktimave është ajo mbi anijen e tragjedisë, “Katri i Radës”, e cila ndodhet ende në Brindizi. Sipas tyre, anija duhet të vijë në Shqipëri, ku t’i caktohet vendi për t’u bërë një kujtim për të humburit dhe të mbyturit. “Nëse kjo anije nuk vjen në Shqipëri, për ne si familjarë, do të jetë një tragjedi e dytë. Kërkojmë që kjo anije të bëhet monument për ne, për të kujtuar fëmijët tanë dhe të afërmit”, shprehen përfaqësuesit e viktimave të tragjedisë. Ata kërkojnë që shteti t’i mbrojë me një përfaqësues dinjitoz në këtë çështje. Procesi i gjyqit të Otrantos po zhvillohet në Itali prej vitesh, por ende nuk është mbyllur. Gjykata e Shkallës së Parë cilësoi fajtor kapitenin italian të anijes “Sibilla” si shkaktar të përplasjes fatale me anijen ku lundronin 120 shqiptarë, në 28 mars të vitit 1997. Prej disa muajsh, çështja ka kaluar në Gjykatën e Apelit, ku prokurori i saj është shprehur se faji është i shqiptarëve, të cilët nuk iu përgjigjën thirrjes së ushtarakëve italiane për t’u ndalur.

14 vjet

mbushen sot nga tragjedia më e madhe në det pas viteve ’90 në vendin tonë, kur, në tentativë për të udhëtuar drejt Italisë, humbën jetën dhjetëra persona

120 klandestinë

ndodheshin në bordin e anijes “Katri i Radës” më 28 mars 1997. Nga përplasja me anijen italiane, 81 prej tyre u mbytën, ndërsa 24 të tjerë nuk janë gjetur akoma

35 mijë

euro, sipas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë italiane, do të marrë çdo familje e viktimave të Otrantos, por deri tani kjo nuk është realizuar

 

VLORË/ QEMAL BIRAKU

© Panorama.al

Te lidhura