Tragjedia e 9 janarit, familjarët: Të gjenden trupat e të zhdukurve

Jan 11, 2012 | 12:25
Familjarët e të mbyturve në det

VLORE – Familjarët e të mbyturve në det në tragjedinë e 9 janarit 2004, kanë zhvilluar në qytetin e Vlorës një ceremoni për të kujtuar njerëzit e tyre dhe për t’i bërë apel shtetit për gjetjen e trupave të të zhdukurve. Në këtë 8-vjetor, në Vlorë kanë qenë vetëm familjarët e tetë personave të mbytur, trupat e të cilëve nuk janë gjetur ende. Ceremonia përkujtimore u mbajt në zonën e Ujit të Ftohtë, në afërsi të Akademisë së Marinës. Me tufa lulesh ata i janë drejtuar bregut të detit ku kanë zhvilluar ritualin e përvitshëm të hedhjes së buqetave me lule në ujërat e Jonit si dhe kanë ndezur disa qirinj në kujtim të tyre. Familjarët janë shprehur të indinjuar nga indiferenca e sistemit të drejtësisë dhe nga shteti, të cilët, sipas tyre, edhe sepse kanë kaluar 8 vite, misteri i tragjedisë nuk është zbardhur ende. Ata këmbëngulin se natën e tragjedisë kanë qenë dy gomone, duke i kërkuar drejtësisë që ta çojë çështjen deri në fund. “Kemi shkatërruar komplet ekonominë tonë vetëm për ta zbardhur këtë çështje. Tetë kufoma i kemi të zhdukura. Të gjitha dëshmitë flasin qartë se ata nuk janë në det, por janë të varrosur në tokë. Të na japin kufomën e babës, nënës, motrës, vëllait që të kenë një vend ku të qajnë”, janë shprehur familjarët e tetë të zhdukurve. Tragjedia e 9 janarit shkaktoi humbjen e jetëve të 28 personave që tentonin të kalonin ilegalisht drejt Italisë.

© Panorama.al

Te lidhura