Një aksident i rëndë hekurudhor ka tronditur Britaninë e Madhe, pasi dy trena pasagjerësh janë përplasur pranë Bedford, duke shkaktuar një viktimë dhe 89 persona të plagosur.
Sipas autoriteteve, makinisti i njërit prej trenave ka humbur jetën, ndërsa 11 prej të plagosurve ndodhen në gjendje shumë të rëndë dhe 22 të tjerë kanë marrë dëmtime serioze. 56 persona kanë pësuar plagë më të lehta dhe janë trajtuar në vendngjarje ose janë dërguar në spitale.
Përplasja ndodhi të premten pasdite, në jug të kryqëzimit Elstow, pranë Bedford, mes rrugëve A421 dhe A6. Në operacionin e shpëtimit u angazhuan forcat e emergjencës, ndërsa në zonë mbërritën edhe helikopterë të ambulancës ajrore.
Dy trenat e përfshirë i përkisnin kompanisë “East Midlands Railway”. Njëri prej tyre ishte nisur nga Corby drejt Londrës St Pancras, ndërsa tjetri nga Nottingham drejt të njëjtit destinacion.
Pas aksidentit, shërbimet hekurudhore nga dhe drejt Londrës St Pancras u pezulluan për pjesën tjetër të natës.
Një pasagjer që ndodhej në vagonin e parë të njërit prej trenave tregoi momentet e tmerrit pas përplasjes.
“Nuk pati asnjë paralajmërim, nuk dëgjova frenime, sirena apo alarme. Papritur ndodhi goditja. Mendova se ishte një bombë. Kishte shumë tym, njerëz në tokë, fytyra të mbuluara me gjak. Shumë njerëz qanin dhe bërtisnin”, rrëfeu ai.
Kryeministri britanik Keir Starmer reagoi pas ngjarjes, duke shprehur ngushëllime për familjen e viktimës dhe solidaritet me të plagosurit.
“Mendimet e mia janë me familjen e personit që humbi jetën dhe me të gjithë ata që janë plagosur rëndë. Falënderoj shërbimet e emergjencës për reagimin e shpejtë”, deklaroi Starmer.
Ndërkohë, hetuesit e aksidenteve hekurudhore kanë nisur punën për zbardhjen e shkaqeve të përplasjes. Një ekip inspektorësh ndodhet në vendngjarje për mbledhjen e provave.
Autoritetet ende nuk kanë përcaktuar se çfarë shkaktoi aksidentin, por hetimi do të fokusohet te mënyra se si njëri tren ndaloi dhe pse tjetri nuk arriti të frenonte në kohë.
Ky është aksidenti i parë fatal mes dy trenave të pasagjerëve në një linjë kryesore hekurudhore britanike gjatë këtij shekulli dhe një nga aksidentet më të rënda hekurudhore në vend gjatë dy dekadave të fundit.
© Panorama.al














