Trafikantët e drogës me syze termike

Nov 29, 2011 | 12:13

GJIROKASTER- Katër lazaratas të tjerë trafikantë droge shpëtojnë sërish nga duart e Policisë së Gjirokastrës. Kësaj here, ata kanë nuhatur që në fillim ndjekjen nga Policia në momentin e daljes nga fshati i tyre.

Të vetmet gjurmë që lanë ishin çantat me 75 kg marijuanë, ndërkohë që burimet zyrtare policore, konfirmojnë identifikimin e katër të rinjve lazaratas, por që për momentin emrat e tyre nuk bëhen të ditur për arsye hetimi. Mëngjesin e së hënës, Sektori i Narkotikëve në Policinë Rajonale të Gjirokastrës, ndërmori aksionin e koduar “Ngrica”, rezultati i të cilit ishte vetëm kapja e lëndës narkotike e llojit marijuanë. Ka qenë ora 01:30 e ditës së hënë, kur Policia e Gjirokastrës u vu në dijeni për transportin e sasisë narkotike prej 75 kg nga Lazarati, në drejtimin jugor me destinacion kufirin e gjelbër e mandej, drejt Greqisë. Për këtë specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve ngritën shërbime të fshehta poshtë Lazaratit me synim goditjen e këtij trafiku, si dhe të personave të implikuar në të. Pas 60 minutave në kodrën përballë fshatit Derviçian, rreth 2 km nga qendra e Lazaratit, policia falë përdorimit të mjeteve moderne logjistike, arriti të zbulonte vendndodhjen e katër lazaratasve, tre prej të cilëve ishin të ngarkuar duke mbajtur mbi supe çanta shpine. Këta të fundit, i udhëhiqte një person tjetër që i orientonte për të kontrolluar rrugën dhe pastronte vendin nga sytë e policisë. Aksioni i transportit të marijuanës përmes dy çantave të mëdha shpine dhe dy çantave mesatare, përfundoi pjesën e tij të parë në fushën e fshatit Derviçian dhe prej aty sipas planit të detajuar më parë nga lazaratasit, malli narkotik do të transportohej me automjet nga disa individë që do ta blinin atë kundrejt shumave të ndryshme. Pasi kanë lëvizur rreth 300 metra poshtë Lazaratit, pararoja e lazaratasve, që ishte pajisur me syze termike, arriti të pikaste prezencën trupave të lëvizshme të uniformave blu, të cilat ishin duke patrulluar në aksin rrugor Gjirokastër-Muzinë. Fill pas kësaj, pararoja e grupit të trafikantëve lajmëroi miqtë e tij të ktheheshin mbrapsht për në pikën fillestare për t’i shpëtuar kapjes dhe arrestimit nga Policia. Porosia e pararojës ishte të merrnin me vete edhe marijuanën e cila ishte përgatitur dhe presuar konform praktikës së këtij lloj trafiku. Të gjendur në këto kushte, specialistët e Sektorit Kundër Narkotikeve të cilët kishin ngritur një pikë të fshehtë ndalimi me një largësi prej 100 metrash nga personat trafikantë, u vunë në ndjekje të tyre. Mes frikës së rënies në duart e Policisë së Gjirokastrës, katër lazaratasit, sapo kanë parë se po ndiqeshin hap pas hapi nga uniformat blu, braktisën çantat me marijuanë dhe u larguan vetëtimthi në drejtim të Lazaratit. Grupi hetimor konstatoi tri çanta shpine të mbushura me marijuanë. Policia Rajonale mbi bazën e informacioneve të marra nga terreni, arriti të identifikojë katër lazaratasit të cilët janë shpallur në kërkim policor. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me disa prova të lëna rastësisht nga trafikantët në vendin e ngjarjes, e cila për Policinë e Gjirokastrës do të shërbejnë për zbulimin e detajeve të tjera shtesë për dënimin e katër lazaratasve për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.   PIRO NASE

 

Trafiku klandestin, kapen pesë veta në Greqi

Veç lëndës narkotike, po ridimensionohet dhe trafiku klandestin në dy anët e kufirit. Rasti më flagrant ishte ai i mesditës së të hënës, kur Policia Greke arriti të kapë pesë klandestinë shqiptarë të cilët kishin hyrë përmes kufirit të gjelbër. Sipas burimeve zyrtare policore greke, pesë shtetasit shqiptarë të papajisur me pasaporta apo dhe mjet tjetër identifikimi, janë kapur në kufirin shqiptaro-grek, mes Gjirokastrës dhe Janinës. Kanë qenë dy mjete që qarkullonin në aksin rrugor Kakavijë-Janinë dhe rrugëtimi i tyre me dy automjete u ndal në zonën e Delvinaqit. Policia greke kishte ngritur një postbllok në këtë zonë dhe pati bërë shenjë të ndalonin automjetet të cilat kishin në bord shqiptarët klandestinë. Ndërsa një automjet ka ndaluar, tjetri ka shtuar shpejtësinë në maksimum për t’i shpëtuar kapjes. Pas disa minutave ndjekjeje, shoferi i mjetit e ka braktisur atë në Kato Levdhani, së bashku me personat në bord, duke u larguar në drejtim të paditur. Brenda në makinë ndodheshin tre shtetas shqiptarë të moshës 20, 23 dhe 32 vjeç. Ndërsa në mjetin që ndali rrugëtimin gjendeshin dy shqiptarë të moshave 23 dhe 40 vjeç. Të pesë shtetasit shqiptarë priten të riatdhesohen, sapo ata intervistohen nga autoritetet helene policore për të mësuar qëllimin e kalimit të tyre pa pasaporta.  p.n

Janinë, bllokohen 30 kg marijuanë

GJIROKASTER – Droga e Lazaratit arrin të çajë bllokadën jo vetëm nga fshati i rrethuar me policë, por të depërtojë madje deri edhe në Greqi, duke kaluar nën hundën e kontrollorëve shqiptarë. Në orët e mbrëmjes të së dielës, konfirmohet kalimi i 30 kg marijuanë nga territori shqiptar në drejtim të atij helen dhe çfarë është më interesante, marijuana ka kaluar nga Kakavija. Autoritetet policore të Janinës kanë konfirmuar zyrtarisht kapjen e trafikantit shqiptar, i cili është një person nga qyteti i Fierit, me inicialet G.H., 36 vjeç. Marijuana 30- kilogramëshe është kaluar mbrëmjen e së dielës pa u rënë në sy kontrollorëve shqiptarë të Kakavijës, ndërkohë që kontrollorët helenë ishin njoftuar për të mos kontrolluar mjetin e fierakut. Ka qenë një aksion i kurorëzuar me sukses nga policët grekë, pasi arritën të infiltronin një efektivin e tyre në radhët e trafikantëve shqiptarë që angazhohen me shitjen e marijuanës nga Shqipëria drejt Greqisë në forma të ndryshme. Polici grek, me nofkën “Davaxis”, kishte hyrë në Shqipëri për të identifikuar një prej rrjeteve që qarkullojnë në të dy anët e kufirit, duke trafikuar lëndë narkotike. Ai hiqej si pjesë e një grupi trafikantësh grekë që merreshin me pritjen e drogës nga kufiri shqiptar në atë helen dhe ndërkohë që pretendonte të bëhej ura lidhëse e këtij trafiku, fillimisht me sasi të vogla. Pasi kaluan pa problem nga territori shqiptar në atë grek, Davaxiu së bashku me shqiptarin të cilët udhëtonin së bashku në një makinë, hynë në Greqi dhe në të hyrë të Janinës, aksioni u finalizua me arrestimin e trafikantit shqiptar. p.n

© Panorama.al

Te lidhura