Trafik femrash në Greqi, 6 të arrestuar

Mar 15, 2011 | 11:42

Policia e Fierit godet një grup kriminal të përfshirë në trafikun e femrave, me qëllim prostitucioni në Greqi.Operacioni i koduar “Kufiri i fundit”, nisi që në muajin janar dhe u finalizua ditën e djeshme me arrestimin e gjashtë personave nga Fieri e Vlora, në mes tyre edhe një grua 41- vjeçe. Të arrestuarit janë shtetasit, Mikel Ferko, 31 vjec, nga Fieri, Martin Osmeni, 28 vjec, nga Fieri, i dënuar me parë për armëmbajtje pa leje, shtetësia me inicialet T.L, 41 vjece, nga Fieri, Virjon Menaj, 32 vjeç, nga Vlora, Arben Veizaj, 47 vjeç, banues në lagjen  “Kushtrimi” Vlorë si dhe adoleshenti me inicialet A.L., 17 vjec, nga Fieri. Operacioni për arrestimin e tyre u organizua nga Drejtoria e Policisë së Fierit, Prokuroria e këtij rrethi dhe Prokuroria e krimeve të rënda. “Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata, rekrutonin femra, për qëllim trafikimin e tyre në shtetin grek”, bënë të ditur burime të Policisë së Fierit. Mësohet se zbulimi i tyre u bë më 13 janar të këtij viti kur rreth orës 21.00, pasi kanë bërë dhe praktikën për kalimin e pikës së kalimit kufitar në Kakavijë, njëri prej tyre është kapur në flagrancë në portën hyrëse për në shtetin grek. Blutë ndërhynë kur shtetasi Mikel Ferko, po trafikonte një vajzë 20- vjeçare, me iniciale E.D. Por policia dyshoi se kishte të bënte me një rrjet më të gjerë të trafikut të femrave ndaj operacioni u mbajt sekret, me qëllim që të zbuloheshin e të arrestoheshin të gjithë anëtarët e saj, të cilët u shoqëruan pak nga pak. Në vijim të këtij operacioni që zë fill që prej kësaj kohe, është ushtruar kontroll në banesën e shtetases 41 vjeçe, T.L., ku u gjet e izoluar një 17- vjeçare me inicialet D.K. Ndërsa në banesën e të arrestuarit Martin Osmani u gjet 20-vjeçarja E.D. Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se boshti i të gjithë rrjetit ishte 41- vjecarja nga Fieri. Ajo arrinte që të mbante si mike vajzat e reja, të cilat më pas i njihte me “miqtë” e saj. Këta të fundit iu premtonin vajzave martesë. Burimet shtuan se vajzat nuk kanë qenë në dijeni se çfarë po ndodhte me jetën e tyre. Ato deri në ato momente kanë bërë jetë të qetë përkrah partnerëve të tyre, duke menduar se një ditë do të martoheshin me ta. Në banesat e të arrestuarve, të cilët gjatë hetimeve nxorën emrat e njëri-tjetrit si të implikuar në këtë vepër kriminale, u gjetën edhe sasi armësh dhe municionesh. “Gjatë ecurisë së veprimeve me metoda speciale të hetimit, në banesën e 41-vjeçares T.L., u gjet një armë automatike e cila rezultoi se ishte futur nga adoleshenti A.L. Ndërkohë, nga të gjitha kontrollet në banesa dhe automjete, është bërë nga ana jonë sekuestrimi i 8 telefonave celularë, një sasie lekësh dhe eurosh, disa karta telefoni të kompanive celulare shqiptare dhe të huaja, dy automjete, një “Rover” me targë greke YXP 2401, në pronësi te shtetasit Martin Osmeni dhe një “Ford sierra” me targë VL 9629 B, në pronësi të Arben Veizaj”, bëri të ditur policia e Fierit në përfundim të këtij operacioni. Të arrestuarit akuzohen për  “Trafikim të femrave” kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”.

TE ARRESTUAR

– Mikel Ferko,
31 vjeç, nga Fieri

– Martin Osmeni,
28 vjeç, nga Fieri

– T.L,
41 vjeçe, nga Fieri

– Virjon Menaj,
32 vjeç, nga Vlora

– Arben Veizaj,
47 vjeç, nga Vlora

– A.L.,
17 vjeç, nga Fieri.

© Panorama.al

Te lidhura