Torosi grindet me motrën e Ogrenit gjatë spektaklit

Mar 5, 2011 | 14:17

Me të vërtetë loja bëhet brenda mureve të shtëpisë së “Big Brother”, por edhe të afërmit jashtë nuk rrinë duarkryq. Ka ndodhur edhe në edicione të tjera të këtij formati televiziv që të afërm të banorëve të cilët brenda kanë pasur konflikte, janë zënë njësoj si fëmijët e tyre, madje ka patur raste që situata ka degjeneruar në fyerje dhe sharje banale. Diçka e ngjashme ka ndodhur edhe të shtunën e kaluar gjatë spektaklit, ku janë zënë keq Torosi dhe motra e vogël e Ogrenit. Ja si ka ndodhur: Sapo u tha emri i Jonelës si e eleminuara e radhës nga shtëpia e “Big Brother”, Toros tha: “Ja, doli edhe një tjetër rivale e Ogrenit”. Në atë moment ka ndërhyrë motra e Ogrenit, e cila ndodhej aty afër dhe i përgjigjet Torosit: “Ti nuk e kupton se të gjithë ju që nuk e doni Ogrenin, do të dilni nga loja?” Motra e Ogrenit mbase kishte akumuluar shumë nga deklaratat e Torosit në media ku ai e quan Ogrenin, Ogrena. Ajo ka vazhduar më pas duke thënë se të gjithë lodhen kot aty brenda, sepse Ogreni e ka të fituar “Big Brother”. Më pas të afërm të tjerë të banorëve të ndodhur aty janë përgjigjur: “Po pse s’na thua moj zonjë, që ju e paskeni rregulluar këtë punë, të paktën ta dimë, t’i nxjerrim fëmijët që aty e të mos i torturojmë kot”. Më pas, e nevrikosur, motra e Ogrenit ka lënë sallën e spektaklit para se ai të përfundojë.

© Panorama.al

Te lidhura