Presidenti Bamir Topi ka bërë sërish apel dje për zhvillimin e një procesi zgjedhor të qetë dhe jo të tensionuar në 8 maj. Kreu i Shtetit ishte i pranishëm në Konferencën Kombëtare për Qeverisjen Vendore, ku i kërkoi kandidatëve që do të garojnë për bashkitë dhe komunat, të ofrojnë ide dhe jo politikë negativiste. “Unë mendoj që është momenti më i rëndësishëm që këto zgjedhje të zhvillohen në qetësi të plotë, mbas një situate të tensionuar politike, gati-gati në pozicionet e një konfliktualiteti politik të shprehur. Zgjedhjet lokale duhet të zhvillohen në korrektësi sipas ligjit, ku pjesëmarrja e qytetarit është shumë e nevojshme”, u shpreh Topi. Sipas tij “Kemi nevojë të shikojmë ide, konfrontime idesh, alternim idesh, sinkronizime idesh. Nuk është nevoja të bëjmë një klimë negativiste, një politikë negativiste. ‘Thua t’i këtë variant, unë dua të them të kundërtën’. Në një shoqëri moderne, të civilizuar ka shumë momente, sidomos për projekte infrastrukturore, ku partitë, kandidatët, të tregojnë bonsens, të thonë që nëse ekziston diçka vërtet që është edhe në dëshirën e qytetarit, t’i bashkojnë idetë e tyre”. Kreu i Shtetit bëri thirrje gjithashtu që në zgjedhje prioritet të jenë problemet e qytetarëve dhe jo emocionet politike. Për këtë ai solli rastin e debatit mbi Unazën e Madhe. “Rastin ekstrem e keni në Tiranë. Kur ka një projekt të miratuar qysh në vitin 1989 dhe vjen viti 2011, ende polemizohet edhe politikisht për një çështje që ka të bëjë thjesht me një element infrastrukturor, sikurse është Unaza e Madhe e Tiranës, ku do kalojnë të majtë, do kalojnë të djathtë, do kalojnë të qendrës, do kalojnë politikanë, do kalojnë ata që s’kanë ndërmend të merren me politikë, dhe kjo do të ishte patjetër një këndvështrim, që unë nuk dëshiroj t’i rikthehem më”, theksoi më tej Presidenti.











