Topi, Tadiçit: Statusi i Kosovës, çështje e mbyllur

Sep 2, 2011 | 18:14

“Çështja e statusit të Kosovës dhe kufijve të saj është për ne një çështje e mbyllur” Kështu u shpreh presidenti i Republikës, Bamit Topi gjatë një takimi me homologun e tij, serb Boris Tadiç.

“Shqipëria mbështet plotësisht tërësinë territoriale të Kosovës në kufijtë e saj aktualë të njohur ndërkombëtarisht. Shqipëria mbështet bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë për çështje praktike, si dy shtete të pavarura dhe sovrane në dobi të përmirësimit të jetës së qytetarëve në të dy vendet”, – u shpreh kreu i Shtetit.

Gjatë takimit, të dy presidentët biseduan për rëndësinë e marrëdhënive mes dy vendeve dhe nxitjen e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar, dhe në fusha të tjera, si arsimi, kultura, shëndetësia, transporti, turizmi.

Topi nënvizoi gjithashtu, edhe shkëmbimin e vizitave reciproke të niveleve më të larta, siç do të jetë edhe vizita e ardhshme e Presidentit Tadiç në Shqipëri, ftesa e cila është pranuar me kënaqësi tashmë dhe mbetet për t’u relizuar në një kohë të përshtatshme së afërmi.

Takimi midis dy presidentëve erdhi në kuadër të Samitit të 9-të rajonal të UNESCO-s me Krerët e Shteteve të Evropës Juglindore, Samit për të cilin, Topi dhe Tadiç, thanë se thellon dhe forcon marrëdhëniet dhe lidhjet e bashkëpunimit mes popujve dhe vendeve pjesëmarrëse.

© Panorama.al

Te lidhura