TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka kërkuar nga institucionet garantimin e të drejtave të plota për romët, sikundër për cdo qytetar tjetër dhe integrim në jetën shoqërore.
Deklarata është bërë sot gjatë takimit që Topi zhvilloi me një përfaqësi të Bashkësisë Rome, të kryesuar nga Kryetari i Unionit të Romëve të Shqipërisë, Skënder Veliu, dhe në përbërje të së cilës ishin edhe drejtues të Shoqatës Kombëtare “Edukimi për Jetën”, juristë dhe mbrojtës të të drejtave të romëve nga shoqëria civile. Përfaqësuesit e Bashkësisë Rome vlerësuan vëmendjen dhe ndjeshmërinë e vazhdueshme të Kreut të Shtetit ndaj kësaj pakice etnike, pjesë e shoqërisë shqiptare prej më shumë se gjashtëqind vjetësh. Ata parashtruan disa nga problemet më të mprehta me të cilat përballen në jetën dhe veprimtarinë e tyre, si dhe u ndalën në ngjarjen më të fundit, atë të shpërnguljes së detyruar të gati 300 anëtarëve të familjeve rome nga një zonë periferike e kryeqytetit.
Me këtë rast, përfaqësuesit e Bashkësisë Rome shtruan kërkesën për një mbështetje dhe përkrahje më të madhe nga institucionet shtetërore përkatëse dhe gjetjen e mekanizmave të duhura ligjore dhe institucionale për zgjidhjen e problemeve të tyre, por edhe për integrimin e këtij komuniteti në jetën shoqërore të vendit duke pasur parasysh strehimin, shkollimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
“Bashkësia rome, me identitetin, vlerat dhe traditat e vyera që përçon, meriton “ jo vetëm të gëzojë të gjitha të drejtat legjitime të barabarta me çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë të garantuara në Kushtetutë”, por edhe të integrohet plotësisht në jetën shoqërore”- tha Topi.
Ai dënoi forcërisht dhunën e ushtruar ndaj familjeve rome dhe sidomos ndaj fëmijëve në fund të muajit shkurt, duke theksuar se “në një vend demokratik, të çliruar nga çdo lloj paragjykimi si Shqipëria, ku ekziston bashkëjetesa dhe harmonia shoqërore mes të gjitha komuniteteve,” edhe Bashkësia Rome duhet të ndihet më e mbështetur dhe më e përkrahur nga shteti”.
© Panorama.al











