TIRANË- “Fushatë të denjë, përtej retorikave dhe konflikteve dhe respekt institucionit të zgjedhjeve”. Ky ka qenë apeli i radhës i presidentit të vendit Bamir Topi drejtuar politikës shqiptare. Kreu i shtetit ka vlerësuar se zgjedhjet e pushtetit vendor janë shumë afër qytetarëve dhe pikërisht për këtë politika duhet të mendojë më shumë për qytetarin dhe për t’i shërbyer interesave dhe nevojave të tij.
“Partitë politike, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të ushtrojnë të gjitha detyrimet e tyre për të bërë një fushatë të denjë për interesat e qytetarëve. Unë besoj dhe jam mjaft optimist që përtej retorikave dhe konfliktualitetit politik, partitë politike duhet të respektojnë të gjitha institucionin më të rëndësishëm demokratik, që është institucioni i zgjedhjeve qoftë ky i zgjedhjeve të përgjithshme, qoftë ky i pushtetit vendor. Tani jemi para zgjedhjeve të pushtetit vendor. Ta respektojmë këtë datë! Të krijojmë një klimë të qytetëruar në debatin politik dhe të zhvillohet një debat që të mos shkojë në terma të përgjithshme, por të shkojë pikërisht në ato gjëra, për të cilat ka nevojë qytetari”- tha Topi.
Sipas tij, edhe qytetarët duhet të përgatiten që të jenë aktivë në këtë fushatë zgjedhore dhe ç’është më e rëndësishmja, që të gjithë të krijojnë një klimë që të marrin pjesë në zgjedhje!
“Të zgjidhen në një mënyrë shumë demokratike organet e pushtetiti vendor, të jemi ne ata që të kemi në dorë institucionet! Kur them ne, e kam fjalën për qytetarët dhe pastaj të fitojë më i miri! Të fitojë ai që i jep më shumë besim qytetarit dhe ai që do të realizojë ato projekte që ka premtuar”- tha Topi.











