Topi në Hungari: Zgjedhjet më 8 maj

Mar 5, 2011 | 13:25

Nga 1 janari Hungaria mban Presidencën e radhës së Bashkimit Europian dhe çështja e integrimit të Shqipërisë në BE ka qenë njëra prej temave të diskutuara nga Kreu i Shtetit, në të gjitha takimet në Budapest. Në ditën e parë të vizitës, Topi vuri një kurorë me lule në sheshin e Heronjve, në kryeqytetin hungarez. Fillimisht ai u takua me homologun e tij, Pal Shmit dhe pas bisedës mes dy delegacioneve, Presidentët dolën në një konferencë për shtyp. I pyetur nga mediat mbi mundësinë e bojkotit të zgjedhjeve nga opozita më 8 maj, presidenti hungarez tha se kjo është një e drejtë e cilitdo në demokraci. “Unë mendoj që bojkoti është njësoj sikur të mbash mëri dhe dikush, apo një grupim politik që bojkoton mban mëri, vërtet i bën keq vetes së vet”, tha Shmit. Më tej, duke sjellë edhe një shembull nga e kaluara e tij, Presidenti hungarez shtoi: “Meqë unë vetë jam një kampion olimpik, ju lutem më lejoni të ofroj një analogji nga sporti. Është shumë e vështirë të fitosh një ndeshje futbolli, në qoftë se nuk denjon të zbresësh në fushë. Dhe për t’iu rikthyer një toni më serioz, unë sinqerisht dhe ndershmërisht shpresoj që pjesëmarrja në votimet e 8 majit të vitit 2011, do të jetë nga më të mëdhatë e më të gjerat në Shqipëri”. Nga ana e tij, Kreu i Shtetit shqiptar bëri sërish thirrje për respektimin e Kushtetutës, lidhur me dekretimin e zgjedhjeve. “Ashtu kam vepruar zoti President në vazhdimësi dhe do vazhdoj t’u bëj thirrje që të respektohet data kushtetuese, sepse në demokraci së pari gjithçka ushtrohet nëpërmjet pjesëmarrjes. Dhe pastaj është populli që zgjedh për t’i shërbyer në radhë të parë popullit dhe pastaj edhe interesave të politikanëve. Ky ka qenë, vazhdon të jetë dhe do të jetë edhe në të ardhmen qëndrimi i palëkundur i Presidentit të Shqipërisë”, tha Topi. Gjatë ditës së dytë të vizitës në Budapest, Kreu i Shtetit, i cili shoqërohej nga një grup biznesmenësh përshëndeti forumin e biznesit Hungari- Shqipëri, ku i bëri ftesë sipërmarrësve vendas të investojnë në vendin tonë. Më tej, ai u takua me kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Hungarisë, Lazlo Këver dhe Kryeministrin Viktor Orban.

© Panorama.al

Te lidhura