TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi i ka dërguar një mesazh ngushëllimi Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama për ngjarjen e 2 marsit, ku dy ushtarë amerikanë humbën jetën nga një sulm me armë në aeroportin e Frankfurtit dhe dy të tjerë janë plagosur rëndë.
Topi e ka cilësuar ngjarjen makabre, të kryer nga një dorë kriminale, ndërkohë që ka shprehur bindjen për zbulimin e motiveve dhe vendosjen në vend të drejtësisë.
“Me hidhërim shumë të thellë mora lajmin makabër të vrasjes së dy ushtarëve amerikanë dhe plagosjen e dy të tjerëve nga një dorë kriminale dhe terroriste, që preku rëndë ndjenjat e kombit shqiptar dhe atij amerikan, në një moment të shkëlqyer të marrëdhënieve të gjithanshme midis dy popujve e vendeve tona”- thuhet në mesazhin e Topit.
Ai, në emër të popullit shqiptar ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave, qeverisë dhe gjithë popullit amerikan.
“Shpreh bindjen e plotë se shumë shpejt do të zbulohen motivet kriminale të kësaj dore gjakatare dhe drejtësia do të japë dënimin e merituar.” – thuhet në mesazhin e Presidentit Topi.
© Panorama.al











