TIRANË- Investime afatgjata e të sigurta për arsimin dhe mundësi shkollimi për të gjithë, pavarësisht shtresës sociale që i përkasin. Këtë apel i ka bashkuar urimit për festën e 7 Marsit, kreu i shtetit, Bamir Topi. Me një mesazh urimi Topi ka shprehur mirënjohjen për gjithë arsimtarët, që nga ata që nuk janë më, pensionistët e të zbardhur e deri tek minuesit e rinj që kanë në dorë edukimin e brezit të një vendi që më shumë se kurrë aspiron integrimin në BE.
“Ju edukoni rreth 1/4 e popullsisë që ulet çdo ditë në bangat e klasave tuaja, prej nga ku mëson dijet që do ta përgatisin për një të ardhme gjithnjë e më të mirë. Ju, arsimtare e arsimtarë të nderuar, edhe në të ardhmen, duhet të ngulisni në ndërgjegjen e këtij brezi përkatësinë e tij europiane e njëkohësisht, krenarinë e të qenit shqiptar së bashku me vlerat tona karakterizuese!”- thuhet në mesazhin e tij.
Topi ka apeluar në këtë ditë të shënuar t’i kushtohet mendim i veçantë një kategorie nxënësish, të cilët, të shtrënguar nga rrethana sociale të pafavorshme, janë të detyruar të braktisin shkollën. “Është krejtësisht e papranueshme që për arsye ekonomike, për shkak të origjinës, ngujimit, etj., këta fëmijë të privohen nga e drejta universale njerëzore: nga e drejta për arsimim. U bëj thirrje institucioneve shtetërore që të marrin gjithë përgjegjësitë e duhura dhe të bëjnë të pamundurën për shkollimin e tyre! Jam i bindur se dhe ju mendoni në të njëjtën mënyrë dhe e ndani këtë shqetësim”- theksohet në mesazhin e presidentit.











