Presidenti Bamir Topi takoi dje homologun serb për të ritheksuar qëndrimin e përhershëm të Shqipërisë për tërësinë territoriale të Kosovës, por njëkohësisht për ta ftuar në Tiranë, në kuadër të raporteve të mira dhe konstruktive që Shqipëria synon të ndërtojë me Serbinë. Një ftesë, e cila “është pranuar me kënaqësi tashmë dhe mbetet për t’u realizuar në një kohë të përshtatshme së afërmi”, raporton zyra e shtypit e Presidentit Topi. Takimi u zhvillua në kuadër të punimeve të Samitit të 9-të Rajonal të UNESCO-s të Krerëve të Shteteve të Europës Juglindore, që po zhvillohet në Beograd. Në kuadër të takimit, të cilësuar si “takim pune”, Presidenti Topi vuri në dukje se marrëdhëniet me Serbinë përbëjnë prioritet me rëndësi të politikës rajonale të Shqipërisë, e cila synon të ndërtojë me Serbinë raporte të mira dhe konstruktive, në interes reciprok të të dyja vendeve. “Dialogu politik, institucionalizimi i marrëdhënieve, kalimi nga kontaktet sporadike në vendosjen e një komunikimi të përhershëm, do të krijonte një klimë të qëndrueshme mirëbesimi dhe sinqeriteti mes nesh”, citohet t’i ketë thënë Presidenti Topi, homologut të tij serb, raporton zyra e shtypit pranë Presidencës. Zyra e shtypit informon se të dy presidentët shprehën të njëjtin interes, që përmirësimi i marrëdhënieve midis dy vendeve të mos mbetet vetëm në nivelin e vullnetit dhe dëshirës së mirë, në zhvillimin e takimeve apo në përpjekjet për përmirësimin e kuadrit ligjor, por të fitonte një përmbajtje konkrete. Presidenti Topi nënvizoi rëndësinë e nxitjes së bashkëpunimit edhe në kontekstin e bashkëpunimit rajonal si parakusht për integrimin në Bashkimin Europian. Gjithashtu, bashkëpunim ekonomiko-tregtar, ashtu sikundër dhe në fusha të tjera, si arsimi, kultura, shëndetësia, transporti, turizmi etj.











