Presidenti i Republikës Bamir Topi garantoi dje ambasadorët se zgjedhjet lokale do të mbahen në datën 8 maj, ashtu siç janë dekretuar. Në një takim të posaçëm pune, kreu i shtetit priti në zyrën e tij Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksander Arvizu, Kreun e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Etore Sekui si dhe Kreun e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Eugen Volfart. “Presidenti i Republikës theksoi rëndësinë e madhe të këtyre zgjedhjeve jo vetëm për të përcaktuar përfaqësuesit e rinj të organeve drejtuese të pushtetit vendor, por edhe për të treguar aftësinë dhe maturinë e partive politike dhe të vetë zgjedhësve në realizimin e zgjedhjeve demokratike, korrekte, të drejta e sipas standardeve të duhura. Gjithashtu, Kreu i Shtetit shqiptar, përsëriti qëndrimin e tij të palëkundur për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme vendore, të dekretuara sipas afateve kushtetuese, më 8 maj 2011”, thuhet në njoftimin zyrtar të Presidencës. Sipas të njëjtin njoftim, Ambasadorët Arvizu, Sekui dhe Volfart shprehën kënaqësinë për këtë takim me Presidentin Topi, të cilin e konsideruan si tepër të rëndësishëm, dhe ndanë të njëjtin mendim lidhur me përgatitjen dhe zhvillimin e suksesshëm, sipas standardeve dhe afateve kushtetuese dhe ligjore të zgjedhjeve vendore të 8 majit. “Kreu i shtetit shqiptar, së bashku me ambasadorët e vendeve mike dhe aleate, nënvizuan domosdoshmërinë që faktorët politikë shqiptarë të përgatisin së bashku e të realizojnë me sukses zgjedhjet vendore, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të gëzojnë frytet e zgjedhjeve të lira, të drejta e demokratike”, thuhet më tej në njoftimin zyrtar.











