Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, reagoi dje pas votimit të Komisionit Hetimor Parlamentar për hetimin veprimtarisë së Kuvendit, gjatë kohës që është drejtuar nga ajo. Gjatë konferencës së djeshme për shtyp me Presidentin e dytë të Parlamentit austriak, Topalli u shpreh se kishte votuar e para për ngritje e këtij komisioni. “Mazhoranca e ka votuar tashmë komisionin dhe unë isha e para që votova”, tha ajo. Topalli deklaroi më tej se ndihet e zhgënjyer nga PS-ja, që u tërhoq nga mocioni për shkarkimin e saj. “Në të gjitha iniciativat e tyre, me dy mocionet e tyre kundër Jozefina Topallit, ata kanë dështuar dhe Jozefina ka fituar 2 me 0. Më vjen keq! Duhet të ishin më burra, sepse ka dy vjet që thonë që do të ngrenë një komision hetimor, që të bëjnë një mocion kundër Jozefina Topallit, dhe nuk e bëjnë. E premtuan në nëntor, filluan një mocion kundër Jozefina Topallit, sepse koka e Jozefina Topallit u duhet dhe dështuan. E kthyen nga një mocion kundër Jozefina Topallit në një mocion me debat. Zoti Rama, më 7 janar tha se kësaj radhe do bëjnë përsëri një mocion kundër Jozefina Topallit, dhe përsëri nuk e mbajti fjalën. Nuk i qëndroi asaj që tha. Nuk u bë mocion kundër Jozefina Topallit. Nga Jozefina Topalli dhe nga koka e Jozefina Topalli ata shkojnë dhe përfundojnë te hetimi i shërbimeve ndihmëse të Kuvendit të Shqipërisë. Çfarë mund të them…”, deklaroi Topalli.











