Topalli: Votimet në Kuvend, të hapura, Piramida do prishet

Sep 18, 2011 | 13:10
Topalli e Riker dje në Uashington

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, po zhvillon një vizitë zyrtare në SHBA, ndërsa në një intervistë për “Zërin e Amerikës” ajo foli edhe për kërkesat e opozitës.Në lidhje me kërkesat për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, Topalli nënkuptoi se nuk mund të ndryshohet duke shtuar se është moderne. Duke folur veçanërisht për votimin e dekreteve të Presidentit, ajo tha se praktika në SHBA është për votim të hapur. “Kryetari i Kuvendit përpiqet të jetë sa më inkluziv, por realisht, që të gjithë të drejtën dhe hapësirën opozitës ia jep Rregullorja. Pra, Rregullorja jonë është një nga rregulloret më moderne, është bërë bashkë me OSBE-në, duke marrë për model Rregulloren e Parlamentit Europian. Kjo Rregullore jep mundësi për interpelanca, për pyetje me shkrim, jep mundësi për pyetje me gojë, jep mundësi për mocione me debat, jep mundësi për mocionet e tjera, jep mundësi të kontrollohen ministritë, institucionet e pavarura. Në Kongresin Amerikan mbizotëron parimi i transparencës, në Kongresin Amerikan nuk imagjinohet që të votohet në mënyrë të fshehtë, sepse deputeti duhet të tregojë përgjegjësi përballë qytetarëve që e kanë zgjedhur”, tha Topalli. Ajo u pyet edhe për shembjen e Piramidës, duke thënë se punimet për Kuvendin e ri do të fillojnë brenda këtij viti, por që nuk mund të jetë gati për 100-vjetorin e pavarësisë. “Ai do të fillojë. Nuk besoj se do të përfundojë, koha është shumë e shkurtër, por ku vendoset guri i parë, pastaj gjërat ecin përpara; për këtë besoj se çdo shqiptar është krenar”, tha Topalli. Kryetarja e Kuvendit, pas një sërë takimesh në SHBA. u prit në Departamentin e Shtetit nga zv.ndih-mëssekretari amerikan i Shtetit, Filip Riker, një njohës i mirë i çështjes shqiptare në veçanti dhe i çështjeve ballkanike në tërësi. Topalli u takua edhe me kongresistët amerikanë, Elliot Engell dhe Jean Schmidt. Engell vlerësoi se “Shqipëria ka bërë një ndryshim radikal, shumë më tepër se çdo vend tjetër në rajon”.

© Panorama.al

Te lidhura