Berisha: Gratë, themeli i arritjeve. Barazi e dinjitet

Mar 8, 2011 | 10:06

UPDATE- Nderim, mirënjohje të thellë për gratë e vajzat, që janë në themel të çdo arritjeje të vendit. Me këto fjalë kreu i qeverisë Sali Berisha u është drejtuar grave e vajzave të pranishme në festën e organizuar nga kryetarja e Kuvendit për nder të 8 marsit. Para qindra të pranishmeve në Pallatin e Kongreseve, Berisha ka shprehur mirënjohje dhe respekt për sakrificën e cdo gruaje e nëne, për punën e pashtershme, për simbolin e virtytit e fisnikërisë njerëzore. “Ju ruajtët të pastër gjakun e kombit, identitetin e tij, i garantuar kombit përjetësinë”- tha Berisha, duke garantuar mbështetjen maksimale të qeverisë së tij për rolin e gruas, e përfaqësimin e saj dinjitoz në politikë e vendimmarrje.

Duke njohur rolin shumë domethënës të grave, Berisha ka deklaruar se është edhe meritë e tyre e padiskutueshme për progresin që ka shënuar sot vendi. “Jemi vendi ku nga zinxhirët, sot lëvizim të lirë e pa viza. Nga vendi i tollonave dhe urisë, jemi vendi me arritje entuziaste ekonomie, madje që kryeson rritjen ekonomike në Europë”- ka thënë Berisha.

Topalli: Forcë e madhe kundër dhunës

Forcë e madhe, guxim dhe kurajë për të mposhtur dhunën, në familje e jashtë saj. Me këtë mesazh kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u është drejtuar grave në ditën Ndërkombëtare të tyre, duke i inkurajuar për të luajtur më së miri rolin e madh që kanë, kudo ku jetojnë e punojnë. Në një ceremoni festive në Pallatin e Kongreseve, PD ka mbledhur gratë e vajzat për t’i nderuar në ditën e tyre.

“Ne sot nuk ndajmë vetëm vlera të përbashkëta, por edhe interesa të përbashkëta. Siguria, barazia, shpresa, paqja, ëndrra, janë që të gjitha femërore. Diku shkruhet, se dora që tund djepin, tund botën. Për gratë, kur duan që të realizohet diçka, nuk ka barrierë që t’i ndalojë”, tha Topalli, në fjalën e saj.

© Panorama.al

Te lidhura