Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, lëshoi dje një ftesë për opozitën për të bashkëpunuar për ligjet e cilësuara. Në një konferencë për shtyp pak ditë para fillimit të sesionit të ri parlamentar, Topalli i ftoi deputetët e PS-së të ngrenë së bashku kartonin jeshil. “Na presin disa ligje që kërkojnë votat edhe nga opozita. Disa nga këto ligje janë gati. Mjafton vetëm që të gjithë deputetët të çojnë kartonin jeshil”, tha Topalli. Ajo foli edhe për bojkotin, duke e cilësuar atë si të paefektshëm. “Unë jam sot këtu për të ftuar kolegët e mi, deputetë të maxhorancës dhe të opozitës, të punojmë e të votojmë bashkë. Bojkoti i votimit mund të jetë përdorur ndonjëherë në shekullin e kaluar. Por strategjia e bojkotit nuk bën sens në shekullin XXI. Ajo është një anakronizëm i skualifikuar. Deputetët e maxhorancës presin që të punojnë e të votojnë bashkë me deputetët e opozitës për reforma të rëndësishme. Çdo gjë që i bashkon shqiptarët duhet të na bashkojë edhe ne me votë në Parlament”, shtoi ajo. Kryetarja e Kuvendit foli edhe për reformat që presin për t’u miratuar. Sipas saj, kanë kaluar mbi tre vjet që mjaft prej ligjeve presin mbi 84 vota për t’u miratuar, por që problemet mes dy kampeve politike i kanë lënë ato në sirtar. Në këtë mënyrë, ajo propozoi që palët të nisin nga reforma zgjedhore me ngritjen e një komisioni dypalësh. “Të gjithë deputetët duhet të votojnë ligjet që BE i kërkon nga ne shqiptarët. Kur hoqëm vizat mjaftuan vetëm votat e maxhorancës. Sot, për stacionet e tjera drejt BE-së, duhet edhe vota e opozitës. Axhenda e ardhshme e Parlamentit e ka emrin: reforma. Ftoj njerëzisht kolegët e opozitës të punojmë për to. Sinqerisht i ftoj të votojmë bashkë. Ne po hyjmë në vitin e tretë të kësaj legjislature. Ne kemi privilegjin dhe mundësinë të bëjmë hapa të tjerë drejt BE-së. Shqiptarët kanë konsensus për këtë. Shqiptarët janë unanimë për këtë. Ne që i përfaqësojmë ato nuk mund të jemi ndryshe. Në Parlament, të gjithë deputetët duhet të votojnë mbi këtë konsensus. Ne duhet të ngremë komisionin për reformën zgjedhore, por këtë duhet ta bëjmë bashkë”, tha Topalli. Më tej ajo theksoi interesin e përbashkët të vendit për integrimin europian. “Nuk duhet të lëmë në ligj asnjë boshllëk. Kjo është detyrë. Por edhe për këtë duhet angazhimi edhe i opozitës. Interesat publike, respektimi i shtetit ligjor, integrimi i vendit është detyra e të gjithëve. Por, për këtë duhet të bashkojmë votat. Integrimi në BE i Shqipërisë nuk është as majtas apo djathtas. Integrimi në BE është objektivi ynë kombëtar”. Sipas kryeparlamentares, “nëse punojmë të gjithë bashkë, brenda shtatorit ne mund të bëjmë shumë punë të mira. Ne jemi gra dhe burra të lirë të këtij vendi. Askush nuk mund të akomodohet pa bërë detyrën. Nuk ka asnjë argument për të mos bërë detyrën. Vendi ka nevojë për mbështetjen e opozitës, për votën e opozitës, për 12 rekomandimet. Unë dëshiroj të jem optimiste. Maxhoranca është e hapur për të bashkëpunuar. Ne të gjithë jemi me vullnet pozitiv për axhendën tonë. Është axhendë reformash. Është axhendë e shqiptarëve, është axhendë integrimi”, deklaroi kryetarja e Kuvendit.











