Tiranë, 2 persona gjenden të vdekur në rrugë nga i ftohti

Jan 17, 2012 | 11:55

TIRANE – I ftohti shënoi viktimat e para në Tiranë. Dy persona kanë gjetur vdekjen si pasojë e temperaturave të ulëta që kanë “pushtuar” së fundmi kryeqytetin dhe gjithë vendin. Viktimat janë dy të moshuar, të cilët kanë gjetur vdekjen në rrugë si pasojë e të ftohtit. Sipas Policisë, dy kalimtarë, njëri 67 dhe tjetri 70 vjeç, kanë vdekur në mes të rrugës si pasojë e të ftohtit që u ka shkaktuar bllokim të frymëmarrjes dhe infarkt. Të paktën kështu janë përcaktuar paraprakisht shkaqet e vdekjes së tyre në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë. Në të dyja rastet kanë qenë kalimtarët ata që kanë lajmëruar Policinë, në mënyrë që t’u vinin në ndihmë personave që ishin shembur në tokë para syve të tyre, por pa kuptuar që ata kishin ndërruar jetë. Ngjarja e parë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës, në lagjen e njohur si Frutikultura në Kamzë. Burime nga Policia thanë se 67-vjeçari Emil Qylhanxhiu, banues në Kamzë, është gjetur i vdekur në rrugë nga forcat e Komisariatit Nr.5, të lajmëruara nga kalimtarët e rastit. Ai është transportuar menjëherë drejt Institutit të Mjekësisë Ligjore, ku sipas mjekëve ekspertë, shkaqet e vdekjes kanë qenë natyrale, por të stimuluara nga temperaturat e ulëta. Ndërsa ngjarja tjetër ndodhi paraditen e djeshme, rreth orës 11:00, në afërsi të fushës “Ali Demi”. Kalimtarët e rastit, pasi kanë parë një burrë të moshuar që u rrëzua pa ndjenja në tokë, kanë lajmëruar menjëherë Policinë e kryeqytetit. Në vendin e ngjarjes ka shkuar menjëherë një ambulancë dhe forcat e Komisariatit Nr.1., të cilat kanë konstatuar se i moshuari, i identifikuar më pas me emrin Hysni Xhabafti, 70 vjeç, banues në Sauk, kishte ndërruar jetë. Edhe për këtë rast ekspertët mjekoligjorë kanë dhënë të njëjtin shkak për vdekjen e tij. Sipas mjekëve, temperaturat e ulëta kanë qenë shkaku i një infarkti që i ka sjellë vdekjen e menjëhershme. Por, veç këtyre dy rasteve që kanë rezultuar fatale për dy të moshuarit, në sallën operative të Policisë së Tiranës kalimtarët kanë njoftuar edhe persona të tjerë të shtrirë në rrugë, që u nevojitej ndihma mjekësore. Gjatë dy ditëve të fundit, në polici janë regjistruar edhe 5 raste të ngjashme, por personat që janë gjetur pa ndihma në rrugë, janë transportuar me urgjencë në Spitalin Ushtarak dhe “Nënë Tereza”. Pas ndihmës mjekësore kanë arritur të mbijetojnë. Por edhe për ta shkak i humbjes së ndjenjave dyshohet të ketë qenë i ftohti.

© Panorama.al

Te lidhura