Sot pritet të vendoset, nëse Edi Rama do të jetë kandidati socialist për Bashkinë e Tiranës, apo një kandidaturë tjetër.Rikandidimi i Ramës mbetet një enigmë e madhe edhe për anëtarë të kryesisë socialiste, të cilët shprehin mendimin e tyre se Rama duhet të rikandidojë, por nuk kanë dijeni nëse ky vendim është marrë tashmë nga kryetari aktual i bashkisë dhe i PS-së. Koalicioni i djathtë nuk ka dilema për kandidatin e tij, ai është ministri i Brendshëm Lulzim Basha, i cili ka kohë që po punon me qëllim fitoren e bashkisë së Tiranës. Të majtët qarkullojnë disa emra përveç Ramës, si kandidatë të mundshëm për Bashkinë e Tiranës, nëse Rama nuk hyn për mandatin e katërt. Ish-kryeministri Majko, Sekretari organizativ, Blendi Klosi dhe nënkryetari i grupit parlamentar Eduard Shalsi janë përmendur si emrat e mundshëm për kandidatë. Madje, rreth tyre janë bërë dhe sondazhe, si nga grupi i operatoreve, i instaluar prej kohësh në selinë rozë, ashtu dhe nga drejtues të lartë të PS-së. Mësohet se vetë kryetari Rama ka telefonuar në kohë të ndryshme deputetët e tij, duke i kërkuar mendim rreth këtyre emrave, se cili prej tyre është më i votuar dhe më favorit për të mbajtur Bashkinë e Tiranës nën drejtimin e Partisë Socialiste. Opinionet e deputetëve, por dhe anëtarëve të Asamblesë Kombëtare mbështesin si fitues të sigurt socialist për Tiranën vetëm Edi Ramën, ndërsa për emrat e tjerë kjo garanci luhatet. Por sondazhe janë bërë dhe në strukturat e PS. Anëtarë të asambleve socialiste të njësive bashkiake të kryeqytetit janë pyetur nga deputetët e Tiranës që kanë në patronazh këto njësi, nëse Rama duhet të rikandidojë. Anëtarë të asambleve në shumicë janë pro rikandidimit të Edi Ramës, dhe pse garon për mandatin e katërt, ndërsa më të paktë janë ata që janë shprehur kundër rikandidimit, duke kërkuar që ai të merret më shumë me partinë. Pritet që kjo dilemë të përfundojë sot, kur dhe është premtuar nga vetë Rama, se do të bëjë të njohur emrin e kandidatit socialist për Bashkinë e Tiranës. Në funksion të këtij qëllimi, Rama do të mbledhë sot në mesditë grupin parlamentar socialist, ku do të diskutohet rreth betejës për Tiranën dhe qëndrimin e PS-së për këto zgjedhje. Ndërkohë, përballjet për 11 njësitë vendore të kryeqytetit pothuaj janë qartësuar. Nga ana e socialistëve pritet vendimi i kryesisë për të përzgjedhur kandidatin më favorit, aty ku ka më shumë se një emër, ndërsa koalicioni i djathtë i ka përcaktuar kandidatët e tij. Ndryshe nga PD, e cila në Tiranë ka lënë njësi të lira dhe për LSI-në, PR dhe PDIU, PS kandidon vetëm me përfaqësuesit e saj.
Përballjet e Tiranës
Minibashkia 1
PD Ariana Bekteshi
PS Lindita Nikolli
Minibashkia 2
PD-LSI Elez Gjoza
PS Artemon Cukalla, Entela Hysenllari,
Ardian Boletini
Minibashkia 3
PD-LSI Ilir Kokona
PS Ridvan Kraja,
Ilir Pajenga
Minibashkia 4
PD Hysen Gjura
PS Vaid Kalaja
Minibashkia 5
PD-LSI Erisa Xhixho
PS Jeta Seitaj,
Bledar Doracaj
Minibashkia 6
PD-LSI Luzhiana Abazi
PS Krenar Cenollari
Minibashkia 7
PD-PDIU Krenar Alimehmeti
PS Erion Koka
Minibashkia 8
PD-PR Arben Tafaj
PS Kujtim Ibraj,
Gerta Lubonja
Minibashkia 9
PD Indrit Fortuzi
PS Armond Halebi
Minibashkia 10
PD Blendi Fuga
PS Enada Alikaj
Minibashkia 11
PD Alfons Muça
PS Naim Asllani
Aristir Lumezi
© Panorama.al











