Minibashkitë e kryeqytetit duket se po përmbysin siglat e tyre. Koalicioni i djathtë deri tani ka fituar pesë minibashki, ndërsa në dy të tjera, ku ende vazhdon numërimi i votave, kandidatët e djathtë janë në avantazh. Partia Demokratike ka fituar minibashkitë nr. 2, 3, 4, 10, 11, ndërsa në minibashkitë 8 dhe 9, ku ende vazhdon numërimi, Arben Tafaj kryeson ndaj Sadi Vorpsit të PS me 2500 vota, ndërsa Indrit Fortuzi kryeson ndaj Armond Halebit me 360 vota, kur mbeten edhe 13 kuti për t’u numëruar. Partia socialiste ka fituar njësitë bashkiake 1, 6 dhe 7.
Duket se kandidatura e Partisë Socialiste në Njësinë Bashkiake Nr. 8 nuk solli asnjë të re përballë Arben Tafajt. Sadi Vorpsi u komentua si tiranasi i vjetër që do të “ndeshet” përballë një tjetër pinjolli të familjeve të vjetra tiranase, Tafajt, por që nuk solli atë rezultat që PS priste, duke humbur me një diferencë prej 2500 votash. Socialistët u rikonfirmuan në Njësinë Bashkiake Nr. 1 me Lindita Nikollën, ndërsa rikthyen Minibashkinë Nr.6 në Kombinat, e cila drejtohej nga përfaqësuesja e LSI-së, Luzhiana Abazi. Gjithashtu, socialistë kanë rikonfirmuar edhe Njësinë Nr. 7, por me një kryetar të ri, Erion Kokën. Por, socialistët kanë humbur minibashki që i kanë pasur prej kohësh nën drejtimin e tyre, si njësitë 2, 3 dhe 4, ku duket se dhe dalja e shumë kandidaturave pretendonte brenda së majtës kanë ndikuar në rezultatin negativ për këtë forcë politike. Në Minibashkinë Nr. 2 ka fituar kandidati i LSI-së, Elez Gjozaj, përballë Artemon Cukallës, me një diferencë prej 1160 votash, duke mbajtur në statistikë sërish një njësi bashkiake për këtë forcë politike pas humbjes së Kombinatit. Ilir Kokona, kryetari aktual në Njësinë Bashkiake Nr.3, është rikonfirmuar në këtë njësi përballë Enver Sulollarit, me një diferencë prej 322 votash. Por socialistët kanë humbur dhe një njësi bashkiake që e drejtonin prej kohësh. Vahid Kalaja ka humbur Njësinë Nr. 4 përballë Hysen Xhurës, me një diferencë prej 1793 votash. Ende nuk ka nisur numërimi i votave për kryetar në Njësinë Bashkiake Nr. 5, pas betejës së gjatë në numërimin e votave për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, proces që zgjati rreth pesë ditë e që mbaroi vetëm të dielën në mesditë. Ende mbeten dhe pak kuti për t’u numëruar, të cilat pritet të përfundojnë sot, duke i dhënë fund procesit të numërimit, përveç Njësisë Bashkiake Nr.5. a.l
Minibashkite e Tiranes
Njësia Nr. 1 39/39 kuti
Lindita Nikolla Aleanca për të Ardhmen 9985
Agron Seseri Aleanca për Qytetarin 8775
Njësia Nr. 2 54/54 kuti
Artemon Cukalla Aleanca për të Ardhmen 15 177
Elez Gjoza Aleanca për Qytetarin 16 340
Njësia Nr. 3 32/32 kuti
Enver Sulollari Aleanca për të Ardhmen 8435
Ilir Kokona Aleanca për Qytetarin 8757
Njësia Nr. 4 42/43 kuti
Vahid Kalaja Aleanca për të Ardhmen 9715
Hysen Xhura Aleanca për Qytetarin 11 508
Njësia Nr. 6 51/51 kuti
Krenar Canollari Aleanca për të Ardhmen 11 419
Luzhiana Abazaj Aleanca për Qytetarin 11 061
Njësia Nr. 7 50/50 kuti
Erion Koka Aleanca për të Ardhmen 13 607
Krenar Alimehmeti Aleanca për Qytetarin 13 206
Njësia Nr. 8 24/30 kuti
Sadi Vorpsi Aleanca për të Ardhmen 5183
Arben Tafaj Aleanca për Qytetarin 7673
Njësia Nr. 9 28/41
Armond Halebi Aleanca për të Ardhmen 7753
Indrit Fortuzi Aleanca për Qytetarin 8110
Njësia Nr. 10 25/25 kuti
Enada Alikaj Aleanca për të Ardhmen 5060
Blend Fuga Aleanca për Qytetarin 6748
Njësia Nr. 11 55/55 kuti
Naim Asllani Aleanca për të Ardhmen 10 735
Haki Mustafa Aleanca për Qytetarin 13 362











