Misho Krstiçeviç ka debutuar si trajner i Tiranës, pikërisht ndaj Teutës, kundërshtar me të cilin do të përballet edhe sot, por këtë herë në “Selman Stërmasi”. Gjatë një deklarate të dhënë për mediat, tekniku kroat flet për ndeshjen me durrsakët dhe radhit disa nga arsyet, se përse skuadra e tij do të fitojë sot. “Ndeshja ime e parë në krye të Tiranës ishte pikërisht ndaj Teutës. Në atë përballje nuk e njihja fare lojën e kundërshtarëve, e madje as të ekipit tim, plus faktit që atëherë kishim shumë mungesa. Në atë transfertë u nisëm pa 6 lojtarë titullarë. E megjithatë, nuk është se luajtëm keq, vetëm se faktorët që përmenda ndikuan negativisht. Teuta përbëhet nga lojtarë të rinj në moshë, por që janë agresivë. Megjithëkëtë, unë ndihem optimist, sepse ndryshe nga sfida e kaluar tani e kam skuadrën të kompletuar. Prandaj kam besim se kjo ndeshje do flasë për ne. I vetmi problem që do hasim ka të bëjë me terrenin, pasi luajmë në “Selman Stërmasi”, – deklaroi Misho. Ashtu si edhe në tri ndeshjet e fundit, trajneri pritet të aktivizojë të njëjtët lojtarë edhe ndaj Teutës.











