Vijojnë problematikat serioze në aksin rrugor Qukës–Qafë Plloçë, që u inaugurua disa muaj më parë nga ministrja Belinda Balluku, tashmë e marrë e pandehur.
Pas aksidentit të ndodhur disa orë më parë, ku një automjet u godit nga një masiv dherash në momentin e daljes nga tuneli, aktualisht po evidentohen rrëshqitje të tjera dherash, të cilat kanë bllokuar njërën prej korsive të qarkullimit.
Vetëm pak metra larg këtij vendi, rreth një muaj më parë, u shemb një masiv shkëmbor, duke detyruar autoritetet të hapin një bypass provizor.
Aktualisht, qarkullimi i mjeteve vijon vetëm në një korsi, ndërsa rrëshqitjet e dherave vazhdojnë përgjatë gjithë aksit rrugor, duke paraqitur rrezik për përdoruesit e rrugës.
Rruga Qukës-Qafë Plloçë që shmang Prrenjasin, Qafë-Thanën dhe Pogradecin u inaugurua në muajin shtator nga Balluku dhe ka kushtuar 260 milionë euro. Aksi përfundoi pas 14 vitesh, por mjaftuan vetëm dy muaj përdorim që rruga të dalë jashtë funksioni.
© Panorama.al











