PRISHTINE- Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto shkon sot për një vizitë dyditore në Kosovë, i ftuar nga homologu i tij, Enver Hoxhaj. Gjatë kësaj vizite, siç njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës Haxhinasto do të ketë takime të shumta me përfaqësues të ndryshëm institucionalë, partive politike, shoqërisë civile dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë.
Haxhinasto takimin e parë do ta ketë në mesditë me ministrin Hoxhaj, ku do të diskutojnë tema të ndryshime në shërbim të thellimit të marrëdhënieve bilaterale dhe për rolin e Shqipërisë në mbështetjen e Kosovës në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, me theks të veçantë në mekanizmat financiare, rajonale dhe të sigurisë. Temë e takimeve, sipas mediave kosovare do të jetë edhe hapja e pikave të reja kufitare për kalimin e mallrave dhe tema me rëndësi për dy shtetet.
Më pas ai do të takohet me kryeministrin Hashim Thaçi dhe me zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Pushtetit Lokal, Slobodan Petroviq.
Po ashtu Haxhinasto do të takohet me kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi, me zyrtarë të LDK-së, Vetëvendosjes dhe AAK-së.
Ndërkohë të shtunën shefi i diplomacisë shqiptare do të ketë audiencë tek presidenti Behgjet Pacolli, do të bëjë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe do të vizitojë familjen Rugova. Ndërsa në pasditen e së shtunës Haxhinasto do të vizitojë memorialin dhe familjen Jashari në Prekaz.
© Panorama.al











