Teuta/ Gjobë futbollistëve, nëse shëndoshen gjatë pushimeve

May 23, 2011 | 13:09

Para “shpërndarjes” së ekipit, sekretari i KF Teuta, njëherazi edhe përgatitësi atletik i seleksionit durrsak, Eduart Salillari, i orientoi futbollistët si të trajtohen kohën e pushimit. Me këtë rast ai i shpërndau secilit prej tyre një fletë formati, ku ishin të nënvizuara porositë e rastit. Në të shkruhej se deri më 26 maj futbollisti e ka më se të domosdoshme të kalojë një pushim absolut. Por, pavarësisht se Teuta mbetet e “shkrirë” deri më 25 qershor, kjo nuk do të thotë që futbollistët të mos përgatiten. Madje, Salillari komenton porositë e dhëna që parashtrohen në këtë format të kartës. “Stërvitja individuale luan një rol të dorës së parë dhe programimi i saj i vlen përgatitjes së futbollistit. Ne i kemi orientuar që të kryhen vrapime, ushtrime gjimnastikore dhe aerobi, not, sportet me dorë dhe veçanërisht palestër”, ka shpjeguar ai. Më 25 qershor, gjëja e parë që do të bëhet është peshimi i futbollistëve. Nëse konstatohet rritje e peshës trupore 1.5-2 kg, priten edhe penalizime kryesisht në vlera financiare, që variojnë deri në 15.000 lekë (të rinj). “Ne edhe më tej, – thotë Salillari – do ruajmë praktikën e një pune të mirorganizuar në aftësimin fizik të futbollistëve”.

© Panorama.al

Te lidhura