Tetë arsye përse më pëlqen Shqipëria

Jan 25, 2012 | 10:33

ROBB PROVOST

Më pëlqen të jetoj e të punoj në Shqipëri. Vërtet më pëlqen. Ime shoqe dhe unë i kemi rritur fëmijët këtu. Kemi bindur edhe të huaj të tjerë të vijnë e të bëjnë të njëjtën gjë sikurse ne, e kështu të përjetojnë të njëjtën përvojë. Kohët e fundit, pas udhëtimit njëjavor në një vend të ish-Bllokut Lindor, kuptova se sa mirë e kemi këtu në Shqipëri dhe se cilat janë disa prej arsyeve që na kanë bërë të privilegjuar të jetojmë këtu. Ja tetë arsye që nuk po i radhis sipas ndonjë rregulli:
Liria e shprehjes
Vërtet, vallë, kemi nevojë për rreth tridhjetë gazeta ditore e pak a shumë po aq stacione televizive? Jo. Askush nuk ka mundësi t’i lexojë apo t’i shohë të gjitha, po njerëzit janë të lirë të shkruajnë e të thonë ç’të duan. Jemi gjithashtu të lirë të mos na duhet të dëgjojmë atë me të cilin jemi të një mendjeje, cilido qoftë ky! Nëse një pikëpamje nuk i pëlqen askujt, ajo nuk e ka të gjatë…, këtë do ta bëjë vetiu tregu i lirë.
Tashmë shqiptarët janë plotësisht të lirë të besojnë atë që duan për Perëndinë apo që të vazhdojnë të mohojnë se Ai ekziston. Ky është themeli i të gjitha kombeve të mëdha.
Që një popull të përparojë e të zhvillohet, është po ashtu e domosdoshme edhe “ekonomia e fesë së tregut të lirë”. Nga pikëpamja historike, e dimë se, sa herë që është refuzuar kjo liri, kombi shkërmoqet. A ka ndonjë që ende do prova? Krahasoni Korenë e Veriut me Korenë e Jugut. Nuk ka nevojë të thuhet më shumë.
(Shënim: Nëse je ndonjë prej atyre që u pëlqen të ankohen për të ashtuquajturat “fe të reja” këtu, do t’ju kërkoja të keni mirësinë të hidhni sytë e të kundroni shumëllojshmërinë. Ajo vetëm sa e bën shoqërinë më të pasur.)
Ekonomi e tregut të lirë që gëlon
Kushdo mund të shesë çfarë të dojë… dhe e bën. Tregu këtu gëlon. Edhe tregu i punës është i gjallë. Burrat dhe gratë kanë mundësi t’ia shesin kohën, talentin dhe energjitë e tyre kujtdo që kërkon t’i blejë. Ata mund të caktojnë se për çfarë çmimi do të donin të punonin. Askush nuk ju thotë ç’të bëjnë dhe se sa vlen koha e tyre. Nëse nuk u pëlqen ajo që u ofrojnë për një punë, ata mund të thonë “jo”.
Kushdo mund të nisë një sipërmarrje, një shkollë, një restorant, një gazetë apo një kafene (në Tiranë, numrit të gazetave ditore mund t’ia kalojë vetëm ai i kafeneve!). Kushdo që ka një ide mund ta provojë!
Kjo do t’ju pëlqente shumë: konkurrenca po e bën tregun shqiptar të fuqishëm. I lutem çdo qeverie: larg duart prej tij! Lëre atë të zhvillohet!
Sivjet, Shqipëria u radhit e 70-ta në Indeksin e Lirisë Ekonomike (të Heritage Foundation) së bashku me Portugalinë dhe Poloninë dhe përpara Malit të Zi (76), Kroacisë (83), Italisë dhe Greqisë (përkatësisht 87 dhe 88). Kjo është radhitja më e ulët në vitet e fundit, po gjithsesi, është tregues pozitiv.
Shqipëria ka potencial të bëhet vend me ekonomi shumë të zhvilluar. Unë shpresoj shumë se kjo do të ndodhë.
(Shënim: Tarifat më të ulëta të importit si dhe TVSH-ja më e ulët do të ishin të mirëpritura dhe do të rritnin ndjeshëm të ardhurat e qeverisë. Ata që nuk janë Keynesta1 (ithtarë të Keynes-it) si dhe unë, që besoj në shkollën e mendimit ekonomik austriak, jemi të bindur se ekonomia shqiptare do të merrte vrull me më pak barrë fiskale. Unë jam [Steve] “Forbesian2”.)
Vend plot mundësi
Kjo është fryt i një tregu krejtësisht të lirë. Njerëzit janë të çliruar të ëndërrojnë dhe të krijojnë. Kjo është e mrekullueshme! Tani në Shqipëri ka mundësi më shumë se kurrë më parë e ndoshta më shumë se në çdo vend tjetër në Ballkan. (Doja të thosha më shumë se në ish-botën komuniste, por kam dëgjuar gjëra të mrekullueshme për tregun konkurrues në Sllovaki, Poloni dhe Hungari.)
Më kanë thënë dhe e kam vënë re edhe vetë se të nisësh një sipërmarrje në shumë vende europiane është sfidë tepër e madhe. Përtej gjetjes së kapitalit, procesi i regjistrimit të sipërmarrjes zgjat pa fund në shumë prej vendeve “të vjetra” europiane (alla-Donald Rumsfeld3). Edhe një herë, Heritage Foundation e radhit Italinë me numrin 87 në indeksin e saj të Lirisë Ekonomike, kryesisht për shkak të burokracisë qeveritare. Kjo, sigurisht, i takon periudhës përpara se të vinte kriza e fundit. Vitin që vjen, radhitja do të jetë vërtet interesante!
Njerëz të ngrohtë dhe mikpritës
Duke u kërkuar ndjesë miqve të mi nga vende të tjera europiane, më duhet të them se nuk ka vend më mikpritës në kontinent. Spanja vjen e dyta.
Në Shqipëri, gjithmonë gjendet pranë teje dikush që dëshiron t’ju ndihmojë. Ky është vend “samaritanësh të mirë”. Askush, sidomos një i huaj, nuk lihet pas dore apo pa përkujdesje. Shumë veta më kanë thënë se Shqipëria është vendi më i mirë në Europë ku mund të të ndodhë ndonjë telash në rrugë. Gjithmonë do t’ju ndihmojë dikush.
Pak kohë më parë u ndodha në një treg, në një vend rusishtfolës, emrin e të cilit nuk po e përmend. Jam shtangur kur një zonjë më shtyu tej që të merrte diçka nga rafti. S’tha asnjë fjalë. Thjesht më shtyu anash. Kjo s’do të ndodhte kurrë këtu…, të paktën pa të kërkuar ndjesë!
Nganjëherë, ndonjërit mund t’i jetë dukur vetja si i padukshëm në dyqanin e bukës kur ca njerëz i dalin përpara për të blerë. Ndonëse tregohen të pasjellshëm, nuk është se këta janë armiqësorë, po thjesht e kanë me ngut. Ata kurrë nuk do të të shtynin mënjanë. Më se një herë kam parë shqiptarë në supermarket të fusin në radhë të tjerët përpara vetes.
Shpirt i gjallë optimist dhe sipërmarrës
Ka shumë që nuk do të ishin dakord me mua… por janë nga ata që e shohin gotën gjysmë bosh. Numri i rritur së tepërmi i restoranteve, kafeneve, dyqaneve të shitjes me pakicë dhe sipërmarrjeve të vogla tregon se shpirti sipërmarrës këtu është i gjallë. Ka shumë që e marrin më sy t’ia nisin diçkaje. Kjo i jep jetë një ekonomie dhe një populli të tërë.
Pak kryeqytete europiane kanë jetë më të gjallë se Tirana. Është vend i shkëlqyer të jesh. Ka një “çlirëti” kudo në qytet, të cilën njeriu nuk e gjen në qytete të tjera të Europës. Ndërsa po zhvillohet një shtresë e veçuar snobësh, në përgjithësi këtu ka ende një shpirt shumë të pasur komuniteti. Njerëzit janë, gjithsesi, miqësorë me njëri-tjetrin. (Megjithatë, vërtet që i kujtojmë me mall vitet ‘90, kur njerëzit të bënin vizita të papritura në shtëpi. Tani kushdo telefonon dhe lë takim.)
“Komuna e Parisit” dhe rritja e një shtrese të mesme (dhe e një shtrese të lartë)
Ne banojmë te “Komuna e Parisit”. Për vite me radhë nuk na ka pas pëlqyer kjo zonë. Duke mos e ditur si shkonin gjërat (ende nuk e dimë), mendonim se në shumicën e rasteve aty ishte ndërtuar në mënyrë të paligjshme e prandaj nuk donim të shkonim atje, le pastaj të jetonim. Megjithatë, këtë vit, familja jonë u zhvendos këtu dhe po na pëlqen shumë. Kjo lagje e Tiranës përfaqëson më mirë se gjithë të tjerat shtresën e mesme të re në rritje. “Komuna e Parisit” është një mjedis i mrekullueshëm shqiptar, ku shkrihen së bashku shumë ide, kultura krahinore, zakone etj. Këtu ka njerëz nga të katër anët e Shqipërisë dhe shumica e tyre janë të etur për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre.
(Jo për sipërmarrësit: “Komuna” do mund të shfrytëzonte më shumë restorante seç ka!)
Në Shqipëri po zhvillohet gjithashtu edhe një shtresë e lartë. Janë shumë që kanë ecur mjaft mirë me sipërmarrje të ligjshme. Jo kushdo që ka bërë para këtu, i ka bërë ato në mënyrë të paligjshme. Do të doja t’u shprehja fjalë falënderimi burrave dhe grave kurajoze, të cilët kanë ngritur ndërmarrje të suksesshme, pa u dhënë para nën dorë zyrtarëve e pa mashtruar punonjësin e taksave. Ne kemi nevojë për më shumë të tillë si ju. Vazhdofshi të keni sukses! U shtoftë pasuria për ju që po u jepni vlera trojeve të këtij populli!
Më lejoni të shtoj diçka si paralajmërim për përqendrimin e pasurisë: në të ka një rrezik. Lakmia për para, siç thotë vargu (në shkrimet e shenjta), është rrënja e të gjitha të këqijave. Nuk është e keqe paraja në vetvete. Është lakmia për paranë që shkakton shumicën e problemeve. Janë ndarë familje për para, janë prishur miqësi të vjetra, njerëz parimorë janë kompromentuar.
Ka dhe një prirje drejt veçimit dhe snobizmit. Pasurimi i Europës së vjetër ka pasur prirje të çojë në snobizëm. Në përgjithësi, sa më tepër të fitojë dikush, aq më tepër e ndien të nevojshme të jetë i veçuar me gjërat e veta. Materializmi sjell gjithmonë veçim. Unë jam tërësisht për zhvillimin e sektorit të shtëpive private këtu. Megjithatë, sa më shumë njerëz zhvendosen në kodra larg qytetit, aq më pak i qytetëruar dhe mikpritës bëhet vetë qyteti. Nëse kjo prirje vazhdon, qyteti do të jetë i gjallë vetëm gjatë ditëve të javës e do të ketë më pak marrëdhënie apo miqësi si ato të mëparshmet, ashtu sikurse qytetet e tjera europiane.
Shumë diell
Në dallim nga shumë vende në Europën Veriore, ne kemi mbi 300 ditë me diell në vit! Dielli i bën mirë njeriut dhe kombit. Ushqen optimizmin. E dua fort motin e mrekullueshëm që kemi këtu.
Tirana, vendi ku hahet mirë
Ndoshta kjo do duhej të ishte në krye të listës. Një pyetje për ju që udhëtoni në Europë: A ka qytet më të mirë se sa ky në Europë për cilësinë e ushqimit në raport me çmimin që paguajmë? As që i afrohet ndonjë. (Kjo dëshmon përsëri se jetohet edhe pa McDonald’s!)
Kujtoj të shkuarën, kur në qytet kishte vetëm nja dy restorante: Berlini, “Piazza”, diku fshehur ai Francezi, madje dhe restorant “Durrësi” i vjetër (ndonëse s’kam ngrënë kurrë atje). Tani është e pamundur qoftë dhe ta mendosh t’i frekuentosh gjithë ato restorante të mrekullueshme që janë në Tiranë dhe në rrethinat e saj. Dhe nëse ndonjë dëshiron ta lërë qytetin, Durrësi tani është shumë afër dhe ka rrjetin e vet të hatashëm të vendeve ku mund të hahet.
Kush mund të gjejë makarona të freskëta dhe qofte më të mira se këtu? Po një llojshmëri më të pasur sallatash të freskëta? Askush.
Kur ndodhem në Shtetet e Bashkuara, shumë amerikanë më pyesin: “Për çfarë ushqimi të merr malli kur je në Shqipëri?”. Përgjigjja ime është: “Për asnjë. Kur jam këtu, më merr malli për ushqimin në Tiranë”. Dhe kjo i befason së tepërmi.
Arsye të tjera
Do mund të thosha më shumë… ne kemi shumë miq të ngushtë këtu, kënaqemi që shëtisim natën nëpër qytet ose në parqe, bukë e freskët çdo ditë dhe, sigurisht, byrek me spinaq!
Më pëlqen shumë këtu. Jam duke bërë dokumentet, për t’ia paraqitur Presidentit që të bëhem qytetar i këtij vendi të mrekullueshëm. Jam i etur të kem një pasaportë të kuqe me shqiponjën dykrerëshe në kapakun ballor!
Vërtet që kam dhënë një tablo të bukur të Shqipërisë. Disa mund të thonë se e kam tepruar. Aspak. A ka gjëra këtu për të cilat na duhet të punojmë? Patjetër. Këtu ka shumë probleme, ashtu si edhe në çdo vend tjetër. Siç e dimë të gjithë, ka disa çështje që s’presin e që vazhdojnë ta pengojnë vendin. Unë besoj fort se ata që drejtojnë do të kenë kurajë dhe do të bëjnë ndryshimet e duhura për të tërhequr investime më serioze nga Perëndimi.
Ndonëse quhem ende i huaj dhe jo qytetar i këtij vendi, dua ta falënderoj popullin shqiptar për bujarinë e hirshme të tij ndaj meje e familjes sime, si dhe ndaj gjithë ne të huajve që jetojmë këtu. Faleminderit! Ju jeni me të vërtetë një popull fisnik dhe bujar.
* CEO, Qendra Linkoln, Tiranë

© Panorama.al

Te lidhura