Një tjetër tërmet i fuqishëm ka goditur dje Japoninë e pafat, duke nxjerrë vështirësi të reja për punëtorët në centralin atomik dhe punonjësit e skuadrave të shpëtimit. Lëkundjet e tokës u regjistruan në 6.2 ballë sërish në verilindje të Japonisë. Zonat e prekura nga tërmeti i ri janë në prefekturat e Miyagit dhe Fukushimës. Këto janë edhe dy nga pesë prefekturat e shkatërruara nga tërmeti dhe cunami i 11 marsit. Sipas Agjencisë Meteorologjike të Japonisë, epiqendra e tërmetit është lokalizuar rreth 200 kilometra në brigjet e Iuatës, në oqeanin Paqësor, në një thellësi 10 kilometra. Ndërkohë, niveli i rrezatimeve në Japoni ka pësuar rritje, pavarësisht se u lajmërua për lidhjen me energji elektrike të të gjashtë reaktorëve të dëmtuar në centralin e Fukushimës. Një pjesë e mirë e stafit të punëtorëve janë evakuuar nga uzina, ndërsa puna për rikthimin në punë të sistemeve ftohëse u ndërpre dy herë gjatë ditës. Nga reaktorët vazhdon të dalë tym dhe avull, pas goditjes nga tërmetin i ri. Sistemet e ftohjes në reaktorë, por edhe aparaturat monitoruese, nuk janë mundur të vihen plotësisht në punë. Ndërkohë, në ujërat pranë Fukushimës u shfaq një nivel i lartë radioaktiviteti. Jodi radioaktiv ishte 29 herë më e lartë se kufiri i lejuar dhe i konsideruar i padëmshëm për shëndetin. Në gjeneratorët e reaktorit të parë ka të çara nga trysnia, që e bënin të prekshëm nga korrozioni i ujit të detit dhe atij të shiut. Skuadrat e zjarrfikësve po punojnë me turne në centralin e Fukushimës për të shmangur ekspozimin për një kohë të gjatë të të njëjtit grup ndaj rrezatimeve, ndërsa vazhdojnë të spërkatin me ujë rezervuarët e lëndës radioaktive të reaktorëve, ku ende nuk është kthyer energjia elektrike. Rreziku më i madh paraqitet në reaktorin e tretë, i cili ka lëndë djegëse okside të përzier me dy nga substancat më të rrezikshme: plutonium dhe uran. Nëse do të ndodhte për ndonjë pakujdesi apo arsye teknike që bërthama e tij të shkrihej, atëherë kjo do të shkaktonte çlirimin e një mase të madhe radioaktiviteti toksik plutoniumi. Sipas një raporti të publikuar dje nga gazeta prestigjioze amerikane, “New York Times”, një muaj përpara katastrofës autoritetet e sigurisë së ventraleve bërthamore në Japoni, kishin vendosur t’i zgjasnin jetëgjatësinë centralit të Fukushimës edhe 10 vjet të tjera. Ndërkohë, në strehat e të evakuuarve ka mungesë ushqimi dhe uji.
Mbërrin reja
Reja radioaktive e lëshuar nga centrali i Fukushimës pritet të mbërrijë sot ose nesër në rajonin tonë. Fillimisht reja do të prekë mbi Itali dhe më pas edhe në Ballkan. Niveli i rrezatimeve do të jetë shumë i ulët dhe nuk do të paraqesë rrezik për popullatën. Itinerari i resë radioaktive drejt Italisë u vrojtua nga sistemet e rrjetit kombëtar të mbikëqyrjes së radioaktivitetit, sistem aktiv në të gjithë rajonet e Italisë. Një zyrtar i departamentit bërthamor tha se nuk ka pasur sinjale për shtim të radioaktivitetit mbi Itali, e as mbi Europë. Radioaktiviteti në re do të jetë 10.000 herë më i vogël se ai që mbërriti me renë e Çernobilit.











